Trampi lavdëroi mbështetjen e KB-së për planin e tij paqësor për Gazën
- Presidenti amerikan Donald Tramp e përshëndeti miratimin e rezolutës së përgatitur nga SHBA-ja në Këshillin e sigurimit të KB-së, e cila mbështet planin e tij paqësor për Gazën, duke vlerësuar atë si një depërtim historik.
Uashington, 18 nëntor 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp e përshëndeti miratimin e rezolutës së përgatitur nga SHBA-ja në Këshillin e sigurimit të KB-së, e cila mbështet planin e tij paqësor për Gazën, duke vlerësuar atë si një depërtim historik.
"Kjo do të hyjë në histori si një nga miratimet më të mëdha në Historinë e Kombeve të Bashkuara, do të çojë në paqe të mëtejshme në të gjithë botën dhe është një moment me përmasa të vërteta historike", ka shkruar Trampi në Truth Soushëll.
Këshilli miratoi mbrëmë vonë rezolutën, ku 13 anëtarë votuan për, ndërsa Rusia dhe Kina abstenuan. Masa mbështet planin e SHBA-së që përfshin vendosjen e një force ndërkombëtare për të ndihmuar në stabilizimin e armëpushimit midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas.
Tramp i lavdëroi ata që mbështetën propozimin, por nuk bëri asnjë referencë për Izraelin, Hamasin ose palestinezët në deklaratën e tij.
Rezoluta mbështet planin 20-pikësh që Trampi e shpalli në fund të shtatorit. Ai parashikon që Gaza të administrohet përkohësisht nga një komitet i teknokratëve palestinezë jopartiakë dhe specialistëve ndërkombëtarë, i mbikëqyrur nga një trup i ri tranzitor i njohur si Komiteti i paqes, i cili, sipas njoftimit të Trampit, do të kryesohet personalisht prej tij.
Pritet të njoftohen edhe anëtarë shtesë, përfshirë ish kryeministrin britanik Toni Bler. qa/
Foto: arkivi