• сабота, 21 февруари 2026

Trampi: Bordi i Paqes mund të bëhet një nga organet më me ndikim që është themeluar ndonjëherë

Trampi: Bordi i Paqes mund të bëhet një nga organet më me ndikim që është themeluar ndonjëherë

Davos, 22 janar 2026 (MIA) – Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, deklaroi në Davos se “Bordi i tij i Paqes” ka potencialin të bëhet “një nga organet më me ndikim që është themeluar ndonjëherë”, duke shtuar se është “një nder i madh për të" që është në krye të këtij organi.

Duke folur në ceremoninë me rastin e themelimit të Bordit të Paqes, Trampi tha se nisma “funksionon jashtëzakonisht mirë” dhe pretendoi se “gati çdo vend dëshiron të përfshihet”.

Në vazhdim të fjalimit, Trampi pohoi se kërcënimet globale “me të vërtetë po qetësohen”. Duke përmendur veprimet e tij në skenën ndërkombëtare, ai përmendi sulmet e verës së kaluar ndaj impianteve bërthamore iraniane, për të cilat tha se “shkatërruan” kapacitetin bërthamor të Iranit. Ai shtoi se Irani “dëshiron të bisedojë dhe do të bisedojë”, e më pas iu referua edhe operacioneve kundër Shtetit Islamik në Siri.

“Po ndodhin shumë gjëra të mira,” tha Trampi, duke pohuar se kërcënimet për Evropën, Amerikën dhe Lindjën e Afërt “janë zvogëluar ndjeshëm”.

Trampi përsëriti pretendimin se që nga ardhja e tij në pushtet “ka zgjidhur tetë luftëra” dhe shprehu bindjen se së shpejti do të arrihet edhe një marrëveshje tjetër. Duke folur për luftën në Ukrainë, ai tha: “Për atë që mendova se do të ishte i thjeshtë, doli ndoshta si më i vështiri.”

Në fund, ai falënderoi pjesëmarrësit e ceremonisë, mes të cilëve ishte edhe ish-kryeministri britanik Tony Bler. “Faleminderit, Toni, që je këtu. E vlerësojmë këtë,” tha Tramp.

Më herët në fjalimin e tij, Tramp e quajti ceremoninë “një ditë shumë emocionuese që ishte përgatitur prej kohësh”, duke përsëritur pretendimin se “të gjithë duan të jenë pjesë” e Bordit të Paqes dhe shtoi se SHBA-ja do të vazhdojë të bashkëpunojë “me shumëkënd, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara”. ls/

Foto: Skrinshot

 

Остани поврзан