Tramp: India do të blejë naftë nga Venezuela në vend të Iranit
- Presidenti amerikan Donald Tramp mbrëmë tha se India do të blejë naftë nga Venezuela, në vend të Iranit.
Uashington, 1 shkurt 2026 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp mbrëmë tha se India do të blejë naftë nga Venezuela, në vend të Iranit.
"Tashmë e arritëm atë marrëveshje, konceptin e marrëveshjes", tha Trampi para gazetarëve në aeroplanin "Er Fors Uan", derisa udhëtonte nga Uashingtoni drejt pronës së tij në Floridë.
Paraprakisht, mediat njoftuan se SHBA e ka njoftuar Nju-Delhin se India së shpejti mund të vazhdojë me blerjen e naftës së Venezuelës, me qëllim që të ndihmojë në kufizimin e eksportit rus të naftës, duke cituar tre burime të njohura me çështjen.
India nuk importoi sasi të konsiderueshme të naftës iraniane për shkak të sanksioneve amerikane, por u bë një nga blerësit më të mëdhenj të naftës ruse pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 që çoi në sanksione perëndimore që uli çmimin e saj.
Trampi dyfishoi tarifat për importin nga India në 50 përqind në gusht, duke synuar të ushtrojë presion mbi Nju Delhin që të ndalojë blerjen e naftës ruse, dhe në fillim të këtij muaji tha se norma mund të rritet përsëri nëse importet e naftës ruse nuk kufizohen.
Ministri i Financave Skot Besent në janar sinjalizoi se tarifa shtesë prej 25 për qind e mallrave indian mund të ndërpritet, për shkak të rënies së ndjeshme të importeve indiane të naftës ruse.
Trampi në mars të vitit 2025 vendosi tarifë prej 25 për qind për vendet që blejnë naftë nga Venezuela, mes tyre edhe India.
Qeveria amerikane këtë javë ndërpreu një pjesë të sanksioneve ndaj industrisë së naftës të Venezuelës për t'ua lehtësuar kompanive amerikane shitjen e naftës së papërpunuar të Venezuelës.
Deklaratat e Tramp dje, siç vlerësojnë analistët, pasqyrojnë përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve midis SHBA-së dhe Indisë, të cilat kanë qenë të tendosura gjatë vitit të kaluar.
Trampi shtoi se edhe Kina mund të arrijë marrëveshje me SHBA-në për blerjen e naftës së Venezuelës. sa/
foto: Arkivi