• петок, 05 декември 2025

Trajkov: Të ardhmen duhet ta ndërtojmë së bashku me të rinjtë

Trajkov: Të ardhmen duhet ta ndërtojmë së bashku me të rinjtë

Shkup, 22 nëntor 2025 (MIA) - Zëvendësministrja për Çështje Evropiane Viktorija Trajkov mori pjesë në forumin ndërkombëtar "IYDU Freedom Forum Skopje 2025", ku u drejtua në temën "Transformimi i Ballkanit Perëndimor: Nga agjendat reformuese në integrimin në BE dhe prosperitetin kolektiv", në një panel kushtuar rolit të të rinjve në sfidat e shekullit të 21-të.

"Historia na ka mësuar që në këmbë t'i presim të gjitha sfidat, sepse kemi kuptuar se duhet ta krijojmë vetë historinë, do të shtoja, me mbështetjen e të rinjve. Prandaj, zëri i tyre duhet të dëgjohet. Dhe të kuptohet. Të rinjtë janë thelbi dhe e ardhmja jonë. Prandaj, duhet të punojmë së bashku me ta dhe për ta. Qeveria që unë përfaqësoj punon për të rinjtë. Sepse ata janë nxitësit e ndryshimit, nxitësit e një epoke të re, një epoke që së bashku me ne, të rinjtë do ta krijojnë", tha zëvendësministrja për Çështje Evropiane.

Trajkov, informoi kabineti i saj, theksoi se Qeveria është e përkushtuar ndaj proceseve të reformave si pjesë e Agjendës së Reformave me qëllim të përmirësohen situatat në vend. 

"Vendi ynë i merituar në tryezën evropiane na pret. Ne kemi dëshmuar dhe ende po dëshmojmë se punojmë në interes të qytetarëve dhe në interes të shtetit. Ne meritojmë të jemi pjesë e familjes së madhe evropiane. Ajo na përket, jo vetëm gjeografikisht, por edhe natyrshëm. Le të bashkohemi të gjithë rreth këtij qëllimi dhe të punojmë që ky qëllim strategjik i yni të bëhet realitet sa më shpejt të jetë e mundur. Ia kemi borxh vetes dhe këtyre brezave që e presin këtë nga ne", tha zëvendësministrja Trajkov.

Ngjarja, e cila do të zgjasë deri më 23 nëntor, është organizuar nga Unioni i forcave të reja të VMRO-DPMNE-së dhe Lidhja ndërkombëtare e demokratëve të rinj. ls/

Foto: Ministria për çështje evropiane 

 

Остани поврзан