• петок, 05 декември 2025

Trajkov: çdo reformë do të jetë plus në bilancin shtetëror, ndërsa rezultatin përfundimtar do ta ndjejnë kompanitë, institucionet dhe qytetarët

Trajkov: çdo reformë do të jetë plus në bilancin shtetëror, ndërsa rezultatin përfundimtar do ta ndjejnë kompanitë, institucionet dhe qytetarët

Shkup, 10 nëntor 2025 (MIA) - Çdo reformë do të jetë plus në bilancin shtetëror, ndërsa rezultatin përfundimtar do ta ndjejnë kompanitë, institucionet dhe qytetarët, theksoi zëvendësministrja për Çështje Evropiane Viktoria Trajkov në panel diskutimin e sotëm në Odën Ekonomike kushtuar "Planit për rritje të Ballkanit Perëndimor dhe Agjendës reformuese-kombëtare - pse janë të rëndësishme për sektorin e biznesit?".

Para përfaqësuesve evropian dhe komunitetit të biznesit, siç kumtoi Ministria për Çështje Evropiane, zëvendësministrja Trajkov theksoi se plani për rritje ka për qëllim uljen e pabarazive ekonomike mes vendeve të Ballkanit Perëndimor me vendet e BE-së, ndërsa përmes asaj edhe të mundësojë përmirësim të jetës së qytetarëve dhe përmirësim të standardeve në të gjitha sferat e jetës.

"Qeveria kushton vëmendje të madhe në zbatimin e hapave të projektuar në Agjendën reformuese, të cilën e kemi ndërmarrë si obligim dhe të cilën shpresoj se do ta zbatojmë deri në fund dhe në tërësi. Ndihma financiare e parashikuar me Agjendën reformuese, megjithatë, nuk është dhuratë. Ajo varet nga gatishmëria jonë të punojmë që të mund të vazhdojmë përpara. Çdo reformë do të jetë plus në bilancin tonë, ndërsa rezultatin përfundimtar do ta ndjejnë kompanitë, institucionet dhe qytetarët", ka theksuar Trajkov para të pranishmëve në Odën Ekonomike.

Ajo përkujtoi se për t'u ndjerë përfitimet, të gjithë duhet të punojmë së bashku dhe të bashkuar, sepse vetëm ashtu mund të shkojmë përpara dhe vetëm ashtu do të shënojmë suksese në rrugën drejt BE-së.

Zëvendësministrja për Çështje Evropiane, ka theksuar se vendi ynë është i pari në rajon që merr mjete paraprake financimi në kuadër të Instrumentit për reforma nga gjithsej 750 milionë euro të parashikuara, për mbështetje të projekteve investuese, si dhe për mbështetje të proceseve reformuese, të cilat janë kahëzuar drejt përforcimit të integrimit ekonomik.

Zëvendësministrja kujtoi se Zona e Vetme e Pagesave në Euro (SEPA) ka filluar zyrtarisht të zbatohet së fundmi, e cila do t'u lejojë qytetarëve dhe kompanive të kryejnë dhe të marrin pagesa në euro për dhe nga vendet anëtare të SEPA-s në të njëjtat kushte si në BE. Kjo, siç thuhet në kumtesë, do të lehtësojë gjithashtu pagesat për kompanitë ndaj partnerëve të huaj, duke stimuluar eksportet dhe duke hapur hapësirë ​​për punësim të ri. sa/

Foto: Ministria për Çështje Evropiane

Остани поврзан