Toshkovski për vizitë zyrtare në Hungari: Forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë, shkëmbimit të përvojave për "Qytetin e Sigurt" dhe trajnimet e policisë
- - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, me ftesë të ministrit të Punëve të Brendshme të Hungarisë, Shandor Pinter, në periudhën prej 14 deri më 16 janar, realizoi një vizitë dypalëshe në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Hungarisë, me qëllim thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe shkëmbimin e përvojave konkrete dhe praktikave të mira.
Shkup, 16 janar 2026 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, me ftesë të ministrit të Punëve të Brendshme të Hungarisë, Shandor Pinter, në periudhën prej 14 deri më 16 janar, realizoi një vizitë dypalëshe në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Hungarisë, me qëllim thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe shkëmbimin e përvojave konkrete dhe praktikave të mira.

Siç bëri të ditur MPB, në kuadër të vizitës, ministri Toshkovski realizuar një takim dypalësh me ministrin Pinter, në të cilin u shqyrtuan çështjet me interes të ndërsjellë, me fokus të veçantë në menaxhimin e flukseve të migrimit, luftën kundër krimit të organizuar dhe sfidat bashkëkohore të sigurisë. Ministri Pinter theksoi kontributin e rëndësishëm dhe konkret që jep Maqedonia në parandalimin e emigrimit të paligjshëm, duke theksuar se roli i policisë është me rëndësi thelbësore për sigurinë e Evropës.
"Vëmendje e veçantë iu kushtua përvojave të Hungarisë në krijimin dhe zbatimin e sistemeve për zbulimin automatik të shkeljeve rrugore, në kontekstin e zbatimit të vazhdueshëm të sistemit 'Qytet i Sigurt' në Maqedoni. Në këtë drejtim, u shkëmbyen mendime mbi aspektet praktike, gatishmërinë institucionale, kornizën ligjore dhe efektet e zbatimit të sistemeve të tilla, me qëllim përdorimin e praktikave më të mira evropiane", theksoi ministri Toshkovski.
Në pjesën e luftës kundër trafikut të drogës, u prezantuan zgjidhjet ligjore dhe institucionale që Hungaria ka zbatuar në fushën e sanksionimit penal, si dhe u ndanë përvoja mbi ndikimin e një qasjeje më të rreptë dhe më të qartë ndëshkuese në shkatërrimin e rrjeteve të organizuara të drogës dhe forcimin e parandalimit.

Në kuadër të vizitës, u nënshkrua Deklarata e Bashkëpunimit për zbatimin e trajnimeve të nëpunësve policorë ndërmjet Qendrës së Trajnimit të MPB-së dhe Qendrës së Edukimit Policor të MPB-së së Hungarisë, me çka hapen mundësitë për shkëmbim afatgjatë dhe praktik të njohurive dhe përvojave. Njëherësh, qendrës hungareze iu bë ftesë për t'u inkuadruar në Shoqatën Rajonale të Qendrave të Trajnimit dhe Akademive Policore të Evropës Juglindore, e cila është formuar me iniciativën e MPB-së sonë.
Ministri Toshkovski realizoi edhe një takim pune me drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimeve të Hungarisë, Aron Jenej, në të cilin u shkëmbyen përvoja mbi strukturën institucionale, modelet operative dhe qasjet në luftimin e formave më të rënda të krimit të organizuar. Më tej, u zhvillua një takim me drejtorin e Drejtorisë Kombëtare për Menaxhimin e Fatkeqësive, Zoltan Gora, me fokus në sistemin e menaxhimit të krizave, koordinimin ndërinstitucional dhe përvojat praktike në përballimin e fatkeqësive.
"Hungaria është një mik dhe partner i dëshmuar i Maqedonisë, ndërsa vizita paraqet edhe një hap tjetër drejt forcimit të bashkëpunimit, shkëmbimit të përvojave dhe ndërtimit të partneriteteve që kontribuojnë për një siguri më të madhe, stabilitet dhe perspektivë evropiane", potencoi ministri Toshkovski. fc/
Foto: MPB