Tel Avivi nën zjarr, Irani mohon negociata: Përshkallëzim i konfliktit në Lindjen e Mesme
- Lindja e Mesme po përballet me një përshkallëzim të ri, të ashpër të konfliktit pasi Irani gjatë natës dhe në mëngjes gjuajti valë raketash drejt Izraelit, duke qëlluar objektiva në Tel Aviv dhe në pjesët jugore dhe veriore të vendit, ndërsa njëkohësisht arrijnë informata kontradiktore për gjoja negociata mes Uashingtonit dhe Teheranit për kursimin e infrastrukturës energjetike.
Tel Aviv, 24 mars 2026 (MIA) - Lindja e Mesme po përballet me një përshkallëzim të ri, të ashpër të konfliktit pasi Irani gjatë natës dhe në mëngjes gjuajti valë raketash drejt Izraelit, duke qëlluar objektiva në Tel Aviv dhe në pjesët jugore dhe veriore të vendit, ndërsa njëkohësisht arrijnë informata kontradiktore për gjoja negociata mes Uashingtonit dhe Teheranit për kursimin e infrastrukturës energjetike.
Sirenat për rrezik ajror u lëshuan në Tel Aviv dhe pjesën qendrore të Izraelit pas detektimit të lëshimeve masive nga Irani. Sipas shërbimit izraelit për ndihmë emergjente "Magen David Adom", të paktën gjashtë persona kanë marrë lëndime të lehta në qendër të Tel Avivit, ku janë regjistruar katër vende të goditjeve. Pamjet nga terreni tregojnë ndërtesa të dëmtuara rëndë me fasadat e tyre të shkulura, automobilë të djegur dhe tym i zi i dendur. Policia njoftoi se ekipe soeciale punojnë në heqjen e projektilëve të pashpërthyer, ndërsa Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) tashmë dërguan trupa plotësues në jug të vendit për sanimin e dëmeve në disa zona. Sulme janë regjistruar edhe në pjesën veriore të Izraelit, ku janë dëmtuar objekte banesore, por aktualisht nuk ka raporte për viktima.
Paralelisht me sulmet iraniane, IDF i vazhdoi operacionet në Liban. Në një sulm në juglindje të Bejrutit, në qytetin Bshamun i cili gjendet jashtë vatrave tradicionale të Hezbollahut, dy persona humbën jetën, ndërsa pesë u lënduan. Goditjet ndaj periferive jugore të kryeqendrës libaneze zgjatën gjatë gjithë natës.
Në plan diplomatik ka konfuzion pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Tramp se i ka shtyrë sulmet ndaj elektranave iraniane për pesë ditë, për shkak të "negociatave produktive" me Teheranin. Trampi i vendosi ultimatum Iranit për ta hapur plotësisht Ngushticën strategjike të Hormuzit brenda këtij afati. Megjithatë, Teherani zyrtar duke e përfshirë edhe kryetarin e parlamentit Mohamed Bager Kalibaf dhe përfaqësues të Gardës Revolucionare, i hodhën poshtë këto pretendime si "lajme të rreme" dhe përpjekje për manipulim me tregjet. Burimet diplomatike citojnë se kontaktet eventuale janë kufizuar vetëm tek ndërmjetësit nga Egjipti dhe Pakistani.
Edhe pse Trampi flet për një pushim të përkohshëm, përfaqësuesit zyrtarë amerikanë sqarojnë se kjo ka të bëjë ekskluzivisht me objektet energjetike. Operacioni "Zemërimi epik" vazhdon me intensitet të plotë, ndërsa objektivat ushtarake, marina dhe kapacitetet e raketave balistike të Iranit mbeten objektiva legjitime. Agjencia iraniane "Fars" tashmë ka raportuar se, pavarësisht shtyrjes së paralajmëruar, janë goditur dy objekte energjetike - një stacion për përpunimin e gazit në Isfahan dhe një gazësjellës pranë termocentralit në qytetin port Horamshar, duke shkaktuar dëme të pjesshme.
Pasojat rajonale nga konflikti janë zgjeruar edhe ndaj vendeve të Gjirit. Ushtria e Kuvajtit njoftoi se sistemi i tyre për mbrojtje ajrore ka rrëzuar raketat iraniane, ndërsa rënia e mbetjeve ka shkaktuar ndërprerjen e shtatë linjave të energjisë elektike. Sirena janë dëgjuar edhe në Bahrein, ndërsa Arabia Saudite ka konfirmuar se ka rrëzuar dhe shkatërruar disa dronë në hapësirën e saj ajrore.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu deklaroi se operacionet ushtarake kundër Iranit dhe aleatëve të tij vazhdojnë me ritëm të pandërperë.
Tregjet globale të naftës reaguan me një rritje të re të çmimeve për shkak të frikës nga ndërprerja afatgjate në furnizim përmes Ngushticës së Hormuzit.
Që nga fillimi i këtij konflikti në fund të muajit shkurt, deri tani janë evidentuar më shumë se 2.000 viktima, ndërsa përpjekjet ndërkombëtare për depërshkallëzim vazhdojnë të mbeten pa një rezultat konkret. sa/qa/
foto: DPA