• сабота, 22 февруари 2025

Taravari: VLEN-i i ka ruajtur të gjitha pozicionet që i kishte BDI-ja në Ministrinë e Mbrojtjes

Taravari: VLEN-i i ka ruajtur të gjitha pozicionet që i kishte BDI-ja në Ministrinë e Mbrojtjes

Shkup, 11 shkurt 2025

Kryetari i ASH-së, Arben Taravari, ka komentuar akuzat e BDI-së për uljen e përfaqësimit të shqiptarëve në Ministrinë e Mbrojtjes.

Në emisionin “Dialog te Lajmi”, që transmetohet sot në ora 18:00, Taravari tha se VLEN-i i ka ruajtur të gjitha pozitat e shqiptarëve në Ministrinë e Mbrojtjes nga koha e BDI-së.

“Ministri i Mbrojtes më tha, të gjitha pozicionet që i kishte BDI-ja i keni edhe ju. Bile-bile, nuk kam kundër nëse keni njerëz që i plotësojnë kushtet edhe disa tjerë t’i avancojmë. Në Ministrinë e Mbrojtjes atë që e ka pas BDI-ja, ato pozicione, ata janë njerëzit, s’mund t’i ndryshojmë, disa i plotësojnë kushtet, disa jo, të njejtat pozicione i ka VLEN-i. Për këta që shkojnë në misione, atë për qindje që e kishte BDI-ja atë për qindje e merr VLEN-I”, tha Taravari në emisionin “Dialog te Lajmi”

Taravari: Disa analistë paguhen për ta sharë VLEN-in dhe Kurtin‼

Kryetari i ASH-së, Arben Taravari në një intervistë për Lajm Tv, ka theksuar se një analist i ka pranuar hapur se flet sipas pagesës që merr dhe se, nëse do ta paguanin, do të fliste në favor të tyre. Ai ka shtuar se nuk kanë as mundësi dhe as nevojë të paguajnë për këtë. Sipas tij, ndonëse nuk ka dëshmi apo dokumente që e konfirmojnë këtë, me kalimin e kohës shumë gjëra dalin në shesh.

Ai gjithashtu ka vënë në dukje se kundërshtarët e Albin Kurtit në rajon dhe makineria propagandistike janë të qarta, duke përfshirë gazetarë dhe analistë të caktuar. Pa përmendur emra, Taravari ka thënë se në Maqedoni ka disa individë të cilët tregojnë një urrejtje patologjike ndaj VLEN-it. Ai ka theksuar se nuk bëhet fjalë për kritikë të zakonshme, por për një obsesion të vazhdueshëm. Për këtë arsye, ai ka sfiduar kritikët që të tregojnë një rast konkret ku është cenuar gjuha apo flamuri.

“Njëri prej analistëve më ka thënë direkt, mos ma zënë për të madhe se unë për këtë paguhem, paguhem shumë bile. Më paguani ju dhe unë do të flas për ju. Thash s’kemi mundësi të paguajmë dhe nuk kemi nevojë të paguajmë. Kështu që unë ju tregoj se dëshmi nuk ka dhe dokument se sigurt është, por koha plotë gjëra i nxjerr në sipërfaqe. Deshëm apo nuk deshëm nuk kemi ku ikim. Kështu që unë i shoh se kundërshtarët e Albinit në rajon dihet kush janë, makineria propaganduese, gazetarë të caktuar dhe analistë të caktuar. Në Maqedoni i shihni njerëzit, nuk dua ti përmendi me emra. Unë me disa prej tyre bile jam ulur, ju kam thënë ku është kjo urrejtje patologjike, sepse kjo nuk është kritikë. Unë e kuptoj kritikën, por kjo është urrejtje patologjike dhe obsesion. Aq jeni të obsesionum me VLEN-in, flamuri, himni, gjuha dhe më thoni një shkurtesë që i është bërë gjuhës. Më thoni një shkurtesë që i është bërë flamurit”, ka deklaruar Taravari.
 
Taravari: Nuk kemi dhënë asnjë denarë për vizitën në SHBA


Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari, ka mohuar çdo pretendim se ai apo partia kanë dhënë para për vizitat e tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka theksuar se udhëtimet dhe akomodimi janë organizuar përmes miqve dhe përfaqësuesve të ASH-së në SHBA, veçanërisht Adem Neziri, i cili jeton në Teksas. Taravari ka sqaruar se gjatë vizitës së parë në SHBA ka qëndruar vetëm një ditë e gjysmë, duke marrë pjesë në inaugurim dhe më pas është kthyer në vendlindje.

“Apsolutisht jo, asnjë denarë, me plotë përgjegjësi morale e them asnjë denarë. Por fatmirësisht atje kemi plot shok e miq. Ne kemi përfaqësuesin e ASH-së në Amerikë, Adem Nezirin dhe ai jeton në Teksas. Ka shumë shoqni, ka rreth, por kemi edhe shokë të tjerë. Kështu që nuk kemi dhënë asnjë denarë, flas personalisht, nuk flas për tjerët sepse nuk e di. Herën e parë kur shkuam unë qëndrova një ditë e gjysmë. Të dielën në mbrëmje arrita, të hënën ishte inaugurimi dhe gjysma e qytetit ishte i bllokuar. Ishim në hotele të ndryshme dhe të martën në mëngjes ora 2 e kisha avionin dhe u nisëm. Ishte e pamundur të takohem me Zeqirijain dhe Izetin sepse edhe ato ishin atje, edhe Afrimi. Ato kanë qenë me  një hotel, unë kam qenë në një hotel tjetër. Ishte mëngjesi i inaugurimit, unë arrita me miq dhe shokë që të jem prezent aty. Të nesërmen u zgjova, e takova profesorin Eduard Josef të cilin e kam mik shumë të mirë, çdoherë kur shkoj këshillat prej tij që i marr janë të jashtëzakonshme. E takova dhe në ora 12 u nisa për në aeroport”, ka theksuar Taravari.

Në lidhje me vizitën e dytë, Taravari ka sqaruar se ka qëndruar më gjatë dhe ka qenë i vendosur në të njëjtin hotel me Bilall Kasamin, ndërsa Izeti ishte afër. Ai ka shpjeguar se shumica e takimeve dhe ngjarjeve janë zhvilluar pikërisht në këtë hotel, duke përfshirë edhe forumin për krizën ballkanike, ku ata realizuan një fotografi së bashku. Megjithatë, ai ka theksuar se në mëngjesin e lutjeve, për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve dhe rregullave të organizimit, nuk ishte e mundur të takoheshin të gjithë..

“Herën e dytë qëndruam pak më gjatë. Fatmirësisht unë dhe Bilalli ishim me një hotel, Izeti ishte shumë afër. Komplet ngjarja e mëngjesit që ndodhte, ishte në atë hotel ku ishim të vendosur unë dhe Bilalli. Izeti erdh shpesh aty, në një ngjarje që ishte për krizën regjionale ballkanike. Aty ishim bashkë. Dhe në atë ngjarje e bëmë një fotografi bashkë. Por jemi takuar edhe 2-3 herë sepse të gjitha zhvillimet u bënë në hotelin ku ishim të vendosur. Edhe në lutjet e mëngjesit, fatkeqësisht çdokush ishim ulur në vende të ndryshme. Sepse ti e merr biletën dhe gjithë ftesën edhe është i caktuar prej zonave të ndryshme. Një tavolinë 10 veta dhe çdonjëri prej atyre është prej shteteve të ndryshme, dhe qëllimi është ky. Ndërsa në mëngjese janë, imagjinoni 4600 veta që marrin pjesë, kështu që është e pamundshme të shihemi, bile me Izetin jemi përshëndet sepse ishim në distancë prej 100 metra. Me plotë përgjegjësi e them se raportet mes VLEN-it janë korrekte. Vazhdimisht ka akuza se deri tani jemi përçarë 100 herë. Por kësi akuza do të ketë edhe 100 tjera deri në zgjedhjet lokale”, ka deklaruar kryetari i ASH-së, Arben Taravari.


Taravari: Albin Kurti është njeriu që i fiton zgjedhjet në Kosovë


Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka folur për raportet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe diplomatit amerikan Richard Grenell. Ai ka theksuar se ndonëse Grenell është një figurë e afërt me ish-presidentin Donald Trump, vullneti i popullit është ai që vendos në zgjedhje.

“Para 7-8 muajsh zoti Grenell ishte në Maqedoni. Unë kisha rastin që ta takojë dhe biseduam afro një orë. Ai ka qëndrimet e veta. Albin Kurtin ne e kemi patur përkrahës në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale këtu, kemi raporte të shkëlqyeshme. Dhe tani raportet mes kryeministrit të Kosovës dhe Grenellit, është çështje ndërpersonale mes tyre. Tani Grenelli është në pozicion. Është një autoritet dhe njeri i afërt i Trumpit, por Albin Kurti është njeriu që i fiton zgjedhjet në Kosovë. Vullneti i popullit, si thonë latinët e vjetër: Vox Populi, vox dai. Zëri i popullit zëri i Zotit. Kështu që patjetër ta respektojmë dhe kemi raporte korrekte”, ka theksuar kryetari i ASH-së, Arben Taravari.

Taravari: Makineria propagandistike po tenton të krijojë huti, por faktet flasin ndryshe

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në intervistën e tij në Lajm TV, ka reaguar ndaj fushatave të koordinuara propagandistike, duke theksuar se disa qendra në Kosovë, Maqedoni dhe Serbi po përpiqen të krijojnë një perceptim të shtrembëruar mbi përfaqësimin e shqiptarëve në institucione.

“Unë pasi i dëgjova këto lajme spektakolare që po bëhen prej qendrave të caktuara, të cilat gjithnjë e më shumë janë të koordinuara në aksione politike si një makineri e jashtëzakonshme propagandistike, mendoj se kjo është një shkollë e vjetër jugosllave që dalëngadalë po zhduket. Por funksionojnë dhe mundohen të krijojnë njëfarë bindjeje te njerëzit se shqiptarët këtu nuk kanë as flamur, as gjuhë, institucionet zbrazen prej shqiptarëve,” ka deklaruar Taravari.

Ai ka theksuar se pozicionet e shqiptarëve në Ministrinë e Mbrojtjes nuk janë prekur dhe se përfaqësimi vazhdon si më parë.

“Unë bisedova edhe me zëvendësministren edhe me ministrin. Ministri i Mbrojtjes më tha: ‘Arben, të gjitha pozicionet që i ka pasur BDI-ja, përsëri i keni. Bile, nuk kam kundër nëse keni njerëz që i plotësojnë kushtet edhe disa të tjerë t’i avancojmë.’ Domethënë, në Ministrinë e Mbrojtjes, pozicionet që ka pasur BDI-ja janë po ato. Nuk mund t’i ndryshojmë. Disa i plotësojnë kushtet, disa jo. Disa janë më të rinj, disa më të moshuar. Të njëjtat pozicione i ka VLEN-i. Për ato që shkojnë në misione, gjithashtu, përqindja që e ka marrë BDI-ja, e merr VLEN-i,” ka shtuar ai.

Taravari ka kritikuar BDI-në për përdorimin e viteve të fundit të qeverisjes për të krijuar konfuzion tek qytetarët.

“Shpesh BDI-ja, për të krijuar huti te njerëzit, i përdor dy vitet e fundit të qeverisjes. Vitin e fundit të qeverisjes BDI-LSDM, ne kemi qenë pjesë si ASH dhe ishte kaos i paparë. Nuk dihej kush han e kush pinte, funksiononte si një pazar, nuk ishte qeveri ajo. Dhe po, është e vërtetë që BDI-ja e shfrytëzoi atë periudhë. Por gjithnjë, kur e analizoni qeverisjen e BDI-së, mos harroni ta analizoni prej 2002 deri në 2024. Gjithashtu, analizoni edhe periudhën 2006-2016, kur BDI-ja ishte me një VMRO që kishte 57-62 deputetë. Shikoni pozicionet e BDI-së atëherë: më pak ministra, më pak përfaqësim të shqiptarëve në institucione në krahasim me VLEN-in. Edhe tani VMRO ka 58 deputetë dhe ka një pozicion shumë më të fuqishëm se LSDM-ja me 44 deputetë që varej nga 15 deputetët e BDI-së. Ne ishte shumë me rëndësi ta mbajmë kryetarin e Parlamentit,” ka përfunduar Taravari.

Taravari: Car Dushani erdhi në qendër të Shkupit në periudhën e BDI-së

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka krahasuar periudhat e qeverisjes së BDI-së me ato të tanishme, duke theksuar se raportet mes VLEN-it dhe VMRO-DPMNE-së janë shumë më korrekte sesa ato mes BDI-së dhe VMRO-së në të kaluarën.

“Unë mendoj se deri tash raportet kanë qenë korrekte, por janë të pakrahasueshme me kaosin që ndodhte në vitet 2023-2024 me dy qeveritë e Kovaçevskit. Aty ishte kush si do punëson, kush si do punon. Dhe kjo nuk krahasohet, ne nuk e krahasojmë atë periudhë,” ka deklaruar Taravari.

Ai ka theksuar se raportet e tanishme janë më të qëndrueshme në krahasim me periudhën 2008-2016, kur BDI-ja bashkëqeveriste me VMRO-DPMNE-në.

“Nëse e krahasojmë periudhën 2008-2016 të BDI-së, tash mendoj se raportet VLEN-VMRO janë shumë më korrekte sesa në periudhën kur ishte VMRO me BDI-në. Mos harroni, Car Dushani erdhi në qendër të Shkupit në periudhën e BDI-së. Stema ndryshohej me 1000 arsyetime prej BDI-së, në kohën e qeverisjes VMRO-BDI. Kishte raste të montuara pa fund, ndërsa këto 7-8 muaj nuk ka pasur asnjë rast të tillë. Raste të vrasjeve misterioze ndodhnin në atë periudhë. Unë nuk e di si i përbinte zoti Ahmeti dhe me çfarë fytyre sot del dhe thotë se shqiptarët janë të diskriminuar,” ka përfunduar Taravari.

Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët

_________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

Fotografia: Arkivi i MIA-s

Остани поврзан