• недела, 23 март 2025

Taravari: Presim që pesë pacientë të kthehen në vend javën e ardhshme, gjashtë janë në gjendje kritike

Taravari: Presim që pesë pacientë të kthehen në vend javën e ardhshme, gjashtë janë në gjendje kritike

Shkup, 22 mars 2025 (MIA) - Në vend aktualisht po kurohen 54 pacientë nga zjarri në diskotekën Puls në Koçan, pasi dje 10 pacientë u dërguan për shërim shtëpiak. Sipas informacioneve që sot i njoftoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, pas takimit të Shtabit të krizës për gjendjen e pacientëve, 27 pacientë kurohen në Qendrën Klinike, 11 pacientë në Spitalin e Përgjithshëm “8 Shtatori”, 10 pacientë në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit, ndërsa gjashtë pacientë kurohen në klinikat private.

Ministri bëri të ditur se gjithsej 115 pacientë po kurohen jashtë vendit, pesë prej të cilëve pritet të kthehen në vend javën e ardhshme dhe, siç tha ai, pas triazhit që do t'u bëhet, do të përcaktohet nëse ata do të mbahen në disa nga tre spitalet në Shkup ose do të dërgohen për kurim shtëpiak. Taravari theksoi se gjashtë pacientë janë në gjendje kritike, derisa nga ana tjetër, 109 pacientët e tjerë janë në gjendje relativisht të mirë, por, siç tha ai, “le të jemi të rezervuar për faktin se mund të ndodhin komplikime që nuk janë parashikuar”.

"Jashtë vendit kurohen 115 pacientë. Lajmi i mirë është se nëse në javën e parë thamë se 20 janë në gjendje shumë kritike, pas dy ditësh 10 janë në gjendje shumë kritike, sot them se vetëm gjashtë janë në gjendje shumë kritike. Shpresojmë që ky numër të mos rritet me komplikime të mundshme tek pacientët e tjerë. Disa nga pacientët po planifikojnë të kthehen javën e ardhshme, kjo është pesë nga gjithsej 115 pacientë. Ata do të pranohen së pari në tre spitalet në Shkup, nga ku u dërguan dhe pas triazhit që do t'u bëhet, do të përcaktohet nëse ata do të ndalohen apo do të lirohen menjëherë për kurim shtëpiak", tha Taravari.

Nga pacientët që janë në gjendje kritike, Taravari theksoi se dy janë duke u kuruar në Lubjanë dhe katër pacientë në Akademinë Mjekësore Ushtarake në Beograd. Lidhur me ata pacientë që pritet të kthehen në vend javën e ardhshme, Taravari tha se sipas informacionit që marrin, ata mund të kthehen edhe me fluturime komerciale.

"Nga Italia planifikohet një çlajmërim, nga Spanja janë planifikuar dy çlajmërime, nga Suedia një çlajmërim dhe nga Austria dy çlajmërime. Ky është plani, por ne edhe definitivisht do të njoftojmë saktësisht të hënën. Po përgatisim protokolle që do të pranohen nga Shtabi i krizave dhe do të publikohen në mënyrë transparente për të parë se si do të trajtohen pacientët. Së pari do t'i shtrojmë në spitale, pastaj do t'i lëmë të shkojnë në shtëpi. Sipas informacionit që marrim nga këto spitale, pacientët mund të kthehen edhe me fluturimet komerciale", tha Taravari.

I pyetur se për çfarë lëndimesh bëhet fjalë te pacientët që kurohen në vend, Taravari tha se në përgjithësi bëhet fjalë për djegie, në disa nga pacientët ka fraktura për të cilat është nevojitur intervenim kirurgjik, por edhe djegie të mukozave të rrugëve të frymëmarrjes.

"Në përgjithësi janë djegie, diku kemi edhe fraktura që mund të mbahen më gjatë dhe do të duhet të operohen. Djegie në mukozën e rrugëve të frymëmarrjes, toksiciteti… tha Taravari.

Foto: MIA

 

Тагови

Остани поврзан