Taravari: Një mandat për një politikanë është pak, më shumë se dy janë shumë
- “Mendoj se katër vite për një politikanë janë pak, por 10 vite,11, 12 vite mendoj se do ishin të mjaftueshëm për të bërë punë të mira. Edhe këtu te ne duhet shembulli i Amerikës. Dy mandate dhe kaq, sepse kjo punë edhe të lodhë. Shembull 22 vjet të merresh me zgjedhje, kjo është lodhje. Shtatë vite aktivisht jam në skenë, mendoj se për mua edhe 4 vite do ishin mjaftueshëm, sepse konsumohesh edhe fizikisht edhe emocionalisht”, tha Taravari.
Shkup, 17 nëntor 2024
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, njëherit edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët ka qenë mysafir në emisionin më të shikuar në rajon "Oxygen" me Besim Dinën, i cili mes tjerash ndau me opinionin kosovarë dhe mbarë shqiptarë një fakt tejet interesant, që rrallëkush do bënte të njëjtën.
Ai tregoi se edhe pasi është emëruar ministër, nuk ka hezituar aspak që të vazhdojë punën si neurolog. Mbase është ndër neurologët më të njohur në vend e nga kjo kuptohet edhe kërkesa e pacientëve për t'u trajtuar nga doktor Taravari.
“Edhe pse jam ministër, çdo të mërkurë jam në Klinikë ku kontrollojë deri në 50 pacientë. Nuk ka ditë edhe gjatë ditës së punës si ministër, që nuk ndaj kohë edhe për pacientët”, tha Taravari.
Ai gjithashtu tregoi edhe një fakt tjetër që ndërlidhet me pacientë, ku në mesin e shumë pacientëve në numër të konsiderueshëm janë edhe nga Kosova.
“Ka plotë edhe pacientë kosovarë që vijnë ditën e mërkurë për kontroll në Shkup te unë”, tha Taravari.
Nga kjo kuptohet që ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, është në shërbim 24/7 të qytetarëve si të vendit ashtu edhe të rajonit. Pra, ministër që nuk njeh pushim por e bënë punën e tij me përkushtim.
Jemi i vetmi popull në rajon që kemi dy nobelistë
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, njëherit edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët pohon madje një të vërtetë faktike, duke përsëritur një realitet që i vetmi popull në Ballkan janë shqiptarët që kanë dy nobelistë.
“I vetmi popull në rajon janë shqiptarët që kemi dy nobelistë. Prandaj, kjo flet mjaftueshëm që ne shqiptarët individualisht jemi shumë më të suksesshëm se kolektivisht”, tha Taravari.
Ai ngriti si shqetësimi edhe problemin e organizimit të brendshëm si shoqëri.
“Problemi jonë është organizimi i brendshëm. Mendoj se në ato institucione ku ka hapësirë dhe i jepet mundësi individit, shqiptari lulëzon. Por fatkeqësisht institucionit shumë pak iu japin mundësi. Raste të tilla kemi me bollëk, siç është Ferid Murad e shumë të tjerë”, theksoi Taravari.
Taravari gjithashtu shprehu shqetësimin e një të vërtete të hidhur që shqiptarëve në Ballkan nuk u ofrohen kushtet e mjaftueshme.
Nga mjeku më i kërkuar në vend, vendosa t’i shërbej qytetarëve përmes politikës
Doktor, Arben Taravari, ministri i Shëndetësisë, që është edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët rrëfeu me shumë emocion ecurinë e tij ndër vite. Ai tregoi në pika të shkurta që një pjesë të jetës së tij ia përkushtoi shkencës dhe pati rezultat duke qenë mjeku më i kërkuar. Punë që i siguronte të ardhura fantastike.
“Në rini kam qenë aktiv në PDSH-në e Arbën Xhaferit. Në vitin 2007 kur Xhaferi u largua nga politika, atë e zëvendësoi dikush tjetër në parti dhe kjo ishte arsyeja që nuk shkova në atë Kongres. Ia kushtova jetën shkencës, fëmijëve, familjes, e punës. Kam pasur të ardhura të jetojë në kushte normale. Një prej mjekëve më të kërkuar isha gjatë kohë edhe para se të hy në politikë. Por, në vitin 2014 nisi një fraksion brenda PDSH-së, ndër të cilët ishte Ziadin Sela të cilin e kisha kolegë, i thash se do ta ndihmojë. Ai e nisi këtë lëvizje, kërkoi përkrahje, e kam përkrahur maksimalisht dhe patëm rezultat efektiv”, tha Taravari.
Ai tutje rrëfen rrugëtimin e tij, pra nga aktivizmi politik në shkencë pastaj sërish në politik për t'u bërë edhe ministër i Shëndetësisë.
“Në 2016 zgjidhem ministër i Shëndetësisë. Në vitin 2017 ministria që drejtoja u zgjodh ndër ministritë më të suksesshme të asaj qeverie. Insistimi i shokëve më pas ishte të kandidohem për kryetar komune në Gostivar, sepse atje e kam familjen dhe vij nga atje. U kandidova, dhe fitova kundërkandidatin tim që gjithë menduan se do fiton ai. Por ja unë fitova, me ndihmën e miqve dhe bashkëqytetarëve të mi. Për dy mandate më zgjodhën që unë të jem prijësi i tyre”, përfundoi Taravari.
Nga kjo histori e treguar kuptohet qartësisht se figurat politike si Taravari që nga mirëqenia sociale e rehatia familjare heqin dorë vetëm për t’i shërbyer vendit e një numri më të madh të qytetarëve. Prandaj, secili kontribut i kësaj natyre meriton të vlerësohet maksimalisht.
Unë nuk flas keq për shokët, me Selën kemi kaluar një dekadë si bashkëpunëtorë
Ministri Taravari në "Oxygen" me Besim Dinën tha madje gjëra të pathëna më parë. Ai tregoi që ka dëgjuar nga Ziadin Sela ofendimet më të rënda që kanë qenë të papritshme për të.
“Me Ziadinin një dekadë kemi kaluar shumë mirë. Më pas ai më ka ofenduar mua që më ka habitur, por ky kapitull për mua është i mbyllur. Unë asnjëherë për shokët nuk flas keq, duhet t’i mbajmë kujtimet e mira. Unë emocionalisht e kam përjetuar keq, sepse me një shok që kemi qenë mbi 8 vite, të dëgjosh këto fjalë është keq dhe rëndë për t'u përjetuar”, tha Taravari.
Ai gjithashtu rrëfeu edhe arsyet e ndarjes me Selën.
“Patëm mendime ndryshe, ne si parti çdoherë kemi qenë kundër BDI-së, e Ziadini donte të shkojmë me Aliun. Ne u rreshtuam nga ana e anëtarësisë dhe e bëmë rotacionin që shumë vite e kërkuan shqiptarët. Ne me opozitën e Sela u rreshtua me pushtetin, tani ne jemi në pushtet e Sela ngeli në opozitë”, përfundoi Taravari.
Ikja e Seles nga partia e Taravarit ishte një momentum kyç në politikën e Maqedonisë së Veriut. Pra, ky veprim i dha kahen e duhur politikës shqiptare në RMV, me çka Taravari mund të konsiderohet si shpëtimtari i opozitës shqiptare që e dërgoi në opozitë BDI-në.
Shëndetësia dhe arsimi janë dikastere më specifike
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, njëherit edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët sqaroi për publikun rëndësinë dhe peshën e institucionit të cilin ai udhëheq tashmë për herë të dytë.
“Shëndetësia dhe arsimi janë dikastere më specifike. Autoriteti i ministrit të Shëndetësisë dhe Arsimit dominon. Këto dy ministri janë të rëndësishme por kërkojnë dhe njëfarë autoriteti që udhëheq”, tha Taravari.
Ai mes tjerash tregoi që shëndetësia si sistem dhe hallkë e rëndësishme e funksionimit të shtetit përballet me probleme të shumta.
“Shëndetësia askund nuk është mirë. Edhe në Amerikë thonë se shëndetësia nuk është mirë. Njëjtë edhe në Greqi. Në Maqedoni çdoherë ka pakënaqësi dhe sadoqoftë që të mundohesh të bësh më mirë, asnjëherë nuk mjafton. Kemi mjek të jashtëzakonshëm. Prandaj, do të mundohet të nxjerri më të mirën prej tyre”, potencoi Taravari.
Një pacient nga Kosova në Shkup paguan aq sa paguan një pacient nga Maqedonia e Veriut
Taravari ka folur edhe për fenomenin që tashmë njihet në rajon që shumë pacientë nga vendet tjera të kërkojnë shpëtim edhe në spitalet e Maqedonisë së Veriut.
Ai ndau me publikun në Kosovë edhe një nga arritjet më të mëdha të shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut në raport me pacientët nga Kosova, që deri para disa viteve pacientët nga Kosova paguanin taksa të dyfishta, por tashmë kjo çështje është e rregulluar. Një pacient nga Kosova paguan aq sa paguan një pacient nga Maqedonia e Veriut, tha ai.
“Fatkeqësisht shumë pacientë nga Kosova vijnë të shërohen në Maqedoninë e Veriut. Çdo herë njeriu kërkon shërim jashtë vendit. Nuk vijnë psh në Kosovë, por shkojnë në Turqi, Slloveni etj. Por shumë shqiptarë nga Kosova vijnë në RMV. Deri para një viti paguanin dyfish, por tani paguajnë njësoj si shtetasit e Maqedonisë së Veriut”, tha Taravari.
Taravari tha se ndjenë kënaqësi dhe ndjehet i vlerësuar që me dikasterin të cilën ai udhëheq është në atë nivel që të jetë shpresë e shpëtim për shumë qytetarë edhe nga rajoni.
“Si ministër, sa më shumë që vijnë pacientë nga vende tjera, je i lumtur që e vlerësojnë shëndetësinë që e drejtoni në atë vend”, përfundoi Taravari.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari tha se është e pamundur që ndryshimet e mëdha të bëhen për një kohë të shkurtër.
“Mendoj se katër vite për një politikanë janë pak, por 10 vite,11, 12 vite mendoj se do ishin të mjaftueshëm për të bërë punë të mira. Edhe këtu te ne duhet shembulli i Amerikës. Dy mandate dhe kaq, sepse kjo punë edhe të lodhë. Shembull 22 vjet të merresh me zgjedhje, kjo është lodhje. Shtatë vite aktivisht jam në skenë, mendoj se për mua edhe 4 vite do ishin mjaftueshëm, sepse konsumohesh edhe fizikisht edhe emocionalisht”, tha Taravari.
Me këtë ai tregoi qartë se nuk është i pangopur me pushtet dhe se dinë të dallojë kohën kur është mjaftë. Pra, këtë mendësi do duhej të kishin të gjithë politikanët që janë aktiv në skenën politike si në vend ngjashëm edhe në rajon.
Jam kandidati i parë që kam fituar dy herë radhazi në Gostivar
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, tërhoqi një paralele krahasuese me kundërkandidatët e tij të së kaluarës, me çka bëri të ditur se është kryetari i parë që ka arritur të fitojë dy mandate radhazi në Komunën e Gostivarit.
“Unë e di se si mjek kam gëzuar respekt të jashtëzakonshëm nga qytetarët. Edhe si kryetar i Komunës së Gostivarit. I pari jam në Gostivar që kam fituar dy herë në atë komunë. Kjo flet mjaftueshëm se si kur angazhohesh për qytetarët ata dinë edhe të vlerësojnë sikurse dinë të ndëshkojnë”, tha Taravari.
Derisa pyetej për mandatin e tij në Gostivar, Taravari tregoi që puna kryesore që duhet të bëhet është përmbushja e premtimeve elektorale dhe këtë siç tha, “e ka arritur ta bëjë”.
“Ekipi vendos se çka premtoj se munden të realizohen, më pas has në shumë pengesa, kur nuk je në qeveri, sepse ke pengesa nga pushteti qendror ndaj pushtetit lokal. Unë them se politikanë është ai që realizon mbi gjysmën e premtimeve që ka dhënë në fushatën elektorale. Unë në mandatin e parë në Gostivar kam realizuar mbi 70 për qind të premtimeve”, tha Taravari.
Ai mes tjerash foli edhe mungesën e kompetencave të nevojshme në pushtetin lokal.
“Në Maqedoninë e Veriut komunat janë sikur bashkësitë lokale në ish Jugosllavi, aq kompetenca kanë. Në Kosovë dhe Shqipëri komunat kanë më shumë kompetenca. Decentralizimi nuk është bërë si duhet. Ndër shtyllat kryesore të MO-së ka qenë decentralizimi, d.m.th t'u jepet më shumë kompetenca komunave, deri tani asgjë nuk është bërë në këtë drejtim”, përfundoi Taravari.
____________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.