• понеделник, 18 ноември 2024

Dita botërore e foshnjave të lindura para kohe: Ajri i ndotur dhe mosha, faktorët e rrezikshëm për lindjen e parakohshme

Dita botërore e foshnjave të lindura para kohe: Ajri i ndotur dhe mosha, faktorët e rrezikshëm për lindjen e parakohshme

Shkup, 17 nëntor 2024 (MIA) – Vitin e kaluar në shtet ka pasur gjithsej 604 foshnja të lindura para kohe, ndërsa këtë vit numri i foshnjave të lindura para kohe është 681. Me qëllim të parandalimit të lindjes së parakohshme, në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës nga fundi i këtij viti do të fillojë studim pilot për program skriningu falas për detektimin e pacienteve të cilat do të zhvillonin preeklampsi, ndërsa gjithashtu është lëshuar në përdorim edhe aparat respirator transportues intraklinik për ventilim respirator, informoi drejtoresha e kësaj Klinike, prof.dr. Irena Aleksioska Pepestiev.

Ajo sot në konferencë për media, me rastin e Ditës Botërore të Foshnjave të Lindura Para Kohe – 17 Nëntori, theksoi se ekzistojnë më shumë faktorë të rrezikshëm për lindjen para kohe, në mesin e të cilave është edhe ajri i ndotur. 

“Ajri i ndotur përfaqëson një nga faktorët e rrezikshëm, të cilët gjatë shtatzënisë mund të ndikojnë në lindjen para kohe. Gjithnjë e më shumë të dhëna flasin se defintivisht ka ndikim ajri i ndotur, që të kemi lindje të parakohshme, me çka pastaj këto paciente do të bëhen pjesë e kujdesit intensiv”, tha Aleksioska Papestiev. 

Siç shtoi, një nga faktorët e rrezikshëm për lindjen para kohe është edhe mosha e grave. 

“Sot, gruaja moderne fillimisht realizon karrierën e saj, dhe më pas i përkushtohet përfundimit të riprodhimit. Një nga faktorët e rrezikut është pikërisht kjo shtatzëni pas moshës 35 vjeçare. Kjo për arsye se në atë moshë tashmë nëna ka komorbiditete të disa organeve, të cilat na detyrojnë ne gjinekologëve ta ndërpresim shtatzëninë para kohe, për ta mbrojtur nënën”, theksoi Aleksioska Papestiev.

Gjithashtu, nënvizoi, shkaqet janë edhe infeksionet, si dhe shtatzënia e shumëfishtë. Drejtoresha theksoi se plani është që këtë vit të përqendrohen më së shumti në preeklampsi. 

Ajo informoi se gjatë dy dekadave të fundit shënohet rritje e vazhdueshme e preeklampsisë, madje deri 25 për qind. Kjo është, siç tha, rezultat i rritjes së kufirit të moshës kur gruaja vendos ta realizojë funksionin e saj riprodhues, me çka pesë deri tetë për qind të shtatzënave mund të komplikohen me këtë sëmundje. 

Nënvizoi se në shtetin tonë nga 16 mijë lindje, 800 deri 1.280 paciente kanë rrezik për paraqitje të preeklampsisë. 

Ajo informoi se para dy ditëve, të premten, ishte lëshuar në përdorim aparat respirator transportues intraklinik për ventilim respirator. 

Neonatologu klinik pediatër Elizabeta Petkovska në konferencë për media nënvizoi se bëhet fjalë për respirator më të ri i cili është modeli i fundit, me teknikë më të re, dhe i cili ofron mënyrë të ndjeshme të punës së mushkërive, mbrojtje të trurit dhe të gjitha organeve dhe sistemeve të tjera. 

Sipas zëvendësministrit të Shëndetësisë, Jovica Andovski, duke e pasur parasysh faktin se mbi 13 milionë foshnja lindin shumë herët çdo vit, qasja në kujdes cilësor është kyçe. 

Ai informoi se statistikat të cilat nga viti 2017 tregonin vdekshmëri të mbi 21 për qind të njëjtat janë ulur në 6,7 për qind, gjegjësisht 2 për qind në vdekshmërinë e pastruar perinatale. fc/

Fotografia: MIA 

 

Остани поврзан