Taravari: Instalohet sistemi i ri i ajrit të komprimuar në “Nënë Tereza”
- Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, sot informoi se është zgjidhur një problem i rëndësishëm, që ka prekur shëndetin e qytetarëve.

Shkup, 22 janar 2025 (MIA) - Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, sot informoi se është zgjidhur një problem i rëndësishëm, që ka prekur shëndetin e qytetarëve.
Ai tha se pas shumë vitesh vonesë, sistemi i ajrit të komprimuar në Qendrën Klinike Universitare “Nënë Tereza” – Shkup, që kishte lënë pacientët pa shërbime për shkak të mungesës së ajrit të kompresuar në sallat e operacionit, tani po vihet në funksion.
“Ju informojmë se është përfunduar plotësisht montimi dhe instalimi i Sistemit të ajrit të komprimuar në Kompleksin e Klinikave ‘Nënë Tereza’ Shkup”, ka shkruar Taravari në rrjetin e tij social Facebook, duke theksuar përkushtimin për të ofruar kushte më të mira për shërbimet shëndetësore dhe pacientët.
Nga Ministria e Shëndetësisë janë tërhequr edhe detaje të rëndësishme për përfundimin e punimeve.
"Janë montuar dhe instaluar tre kompresorë me pajisjet shoqëruese të nevojshme”, thuhet në komunikatë, duke shtuar se gjithashtu janë përmirësuar pikat e shpërndarjes dhe lidhjes së tubave të bakrit për të siguruar funksionimin optimal të sallave operative.
Pas realizimit të këtyre aktiviteteve, sistemi i ajrit të komprimuar do të sigurojë që sallat e operimit të funksionojnë pa ndërprerje, duke ofruar shërbime cilësore dhe të sigurt për pacientët. Kujtojmë se sallat e operimit në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”, ndaluan së punuari për shkak të një ere të pakëndshme që u përhap përmes sistemit të ventilimit dhe problemi i furnizimit me oksigjen. bsh/
Foto: MIA arkiv