Takimi onlajn i grupeve parlamentare për bashkëpunim ndërmjet parlamenteve të Maqedonisë së Veriut dhe Ukrainës
- Anëtarët e Grupit Parlamentar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim me Kuvendin e Ukrainës zhvilluan takim online me kolegët e tyre nga Ukraina, gjatë të cilit ritheksuan përkushtimin e tyre për forcimin e mëtejshëm të mbështetjes dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, në prag të trevjetorit të fillimit të agresionit rus, kumtoi shërbimi për shtyp i qeverisë.

Shkup, 12 shkurt 2025 (MIA) - Anëtarët e Grupit Parlamentar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim me Kuvendin e Ukrainës zhvilluan takim online me kolegët e tyre nga Ukraina, gjatë të cilit ritheksuan përkushtimin e tyre për forcimin e mëtejshëm të mbështetjes dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, në prag të trevjetorit të fillimit të agresionit rus, kumtoi shërbimi për shtyp i qeverisë.
Deputetja Ivana Vasilevska, kryetare e Grupit Parlamentar për bashkëpunim me Kuvendin e Ukrainës, theksoi se Kuvendi i Maqedonisë është i lidhur fort me Parlamentin e Ukrainës, me dëshirën për ta dinamizuar më tej bashkëpunimin me intensitet të konsiderueshëm.
Vasilevska theksoi se vitet e fundit kemi qenë dëshmitarë të aksioneve ushtarake në tokën evropiane dhe shprehu besimin në takimin e drejtpërdrejtë me kolegët ukrainas në, siç tha ajo, një Ukrainë të lirë.
Bashkëkryesuesi i Grupit për Marrëdhënie Ndërparlamentare me Republikën e Maqedonisë së Veriut në Kuvendin e Ukrainës, Valerij Zub, edhe me këtë rast shprehu mirënjohje për solidaritetin nga pala maqedonase, duke theksuar se është me rëndësi të madhe për popullin ukrainas në përballjen e pushtimit nga Rusia.
Në takimin onlajn foli edhe deputetja Sllavjanka Petrovska, e cila tha se beson në lirinë dhe demokracinë, si dhe në të drejtën e çdo populli që të zgjedhë rrugën e vet.
Nënkryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski, megjithatë, theksoi se në Kuvendin e Maqedonisë, përkundër ndryshimeve të roleve pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, si dhe përkundër dallimeve midis forcave politike për shumë çështje, ekziston konsensus shumë i gjerë për mbështetjen e Ukrainës kundër agresionit rus. ls/
Foto: Kuvendi i RMV-së