Takime të ndara të ministrit Mucunski me ambasadorët e Austrisë dhe Greqisë, Pamer dhe Filipidu
- Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucunski sot ka realizuar takime të ndara me ambasadorin e Austrisë në Maqedoninë e Veriut, Martin Pamer dhe me ambasadoren greke në vend, Sofija Filipidu.

Shkup, 27 janar 2025 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucunski sot ka realizuar takime të ndara me ambasadorin e Austrisë në Maqedoninë e Veriut, Martin Pamer dhe me ambasadoren greke në vend, Sofija Filipidu.
Siç njoftoi MPJTJ, në takimin me ambasasdoren Filipidu, bashkëbiseduesit kanë shprehur gatishmëri të përbashkët për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral dhe multilateral.
"Si fqinjë të afërt dhe aleatë në NATO, ata konfirmuan rëndësinë e përforcimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe sigurimit të stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit rajonal, përmes integrimit të plotë të rajonit në BE. Theks i veçantë është vendosur në bashkëpunimin në sferën e mbrojtjes, lidhjes infrastrukturore, energjetikës, kulturës, turizmit, dhe para së gjithash, ekonomisë. Me këtë rast u theksua se Greqia mbetet një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të vendit tonë", qëndron në kumtesën e Ministrisë.
Në takimin me ambasadorin Pamer, u konfirmua bashkëpunimi i fuqishëm dhe tradicionalisht i mirë mes Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut. Theksi është vendosur në mbajtjen e dialogut dinamik politik dhe rritjen e bashkëpunimit në të gjitha sferat me interes të përgjithshëm. Posaçërisht janë shqyrtuar mundësitë për përforcimin e marrëdhënieve ekonomike, përmes intensifikimit të bashkëpunimit me odën federale ekonomike të Austrisë dhe përforcimin e raporteve tregtare.
Ministri Mucunski u falënderua dhe e theksoi rëndësinë e mbështetjes austriake në procesin e integrimeve evropiane dhe rolin e Austrisë në grupin “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, thonë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme. bsh/
Foto: MPJTJ