Takim pune i kryetarit Gashi me rektorin Bekim Fetaji
- Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot realizoi një takim pune me rektorin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, prof. Bekim Fetaji, si dhe me kryetarin e Sindikatës së Universitetit, prof. Avni Avdiu.
Shkup, 6 nëntor 2025 (MIA) - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot realizoi një takim pune me rektorin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, prof. Bekim Fetaji, si dhe me kryetarin e Sindikatës së Universitetit, prof. Avni Avdiu.
Siç kumtoi shërbimi për shtyp i qeverisë, gjatë takimit, bashkëbiseduesit diskutuan për mundësitë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit dhe institucioneve akademike, me fokus të veçantë në ngritjen e cilësisë së arsimit dhe nevojën për reforma të qëndrueshme në këtë fushë.
U shkëmbyen mendime për hapa konkretë që mund të ndërmerren në drejtim të përmirësimit të kushteve për stafin akademik dhe studentët, si dhe për rritjen e efikasitetit dhe transparencës në sistemin arsimor.
Rektori e informoi kryetarin për projektet dhe planet zhvillimore të Universitetit, ndërsa kryetari Gashi, nga ana tjetër, shprehu gatishmërinë e plotë për të mbështetur këto përpjekje.
"Kryetari Gashi vlerësoi lartë kontributin e Universitetit “Nënë Tereza” dhe të stafit të tij në zhvillimin e arsimit në vend, duke inkurajuar vazhdimin e përpjekjeve për një arsim cilësor, bashkëkohor dhe gjithëpërfshirës", theksohet në kumtesën. ls/