• сабота, 22 февруари 2025

Takim i mundshëm mes Mucunskit dhe Georgievit në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih

Takim i mundshëm mes Mucunskit dhe Georgievit në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih

Shkup, 11 shkurt 2025 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se deri tani nuk kanë zhvilluar komunikim me Qeverinë e re të Bullgarisë dhe pret që shefi i diplomacisë, Timço Mucunski të mbajë takim me kolegun e tij bullgar, Georg Georgiev në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, e cila duhet të fillojë më 14 shkurt.

"Jo, nuk kemi vendosur kontakte me qeverinë e re bullgare. Tani pres që në margjinat e Konferencës së Sigurisë së Mynihut, ministri i Punëve të Jashtme të ketë takim me kolegun e tij nga Qeveria e Bullgarisë, por ende nuk ka konfirmim për një gjë të tillë. Nëse ndodh, sigurisht, që opinioni do të jetë i informuar", tha Mickoski në pyetjen e gazetarëve nëse kanë kontaktuar me Qeverinë e re bullgare dhe nëse mund të iniciojë takim me kryeministrin bullgar, Rosen Zheljazkov.

Kryeministri Mickoski javën e kaluar theksoi se pret që në periudhën e ardhshme të ketë takime me përfaqësues të Qeverisë bullgare për të zhbllokuar rrugën eurointegruese të vendit. 

"Sa i përket takimeve, ne dhe në të kaluarën kemi pasur takime me lidershipin më të lartë bullgar, me kryeministrin e atëhershëm teknik. Pres që në periudhën e ardhshme të ketë takime me qeverinë bullgare në nivele të ndryshme dhe kjo nuk duhet të na habisë. As ne nuk do të zhdukemi, as ata, ne do të jemi sërish fqinjë", deklaroi Mickoski javën e kaluar për takimet e mundshme me lidershipin e ri bullgar, pasi ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani nga Brukseli deklaroi se pala bullgare është e gatshme për bisedime.

Në përpjekje për të zhbllokuar rrugën evropiane të vendit dhe për të nisur negociatat për klasterin e parë "Vlerat themelore", Qeveria propozoi zgjidhje për ndryshimet kushtetuese me efekt të vonuar, e cila jozyrtarisht mori emrin "propozimi francez plus”. Propozimi parashikon që tani të miratohen amendamentet kushtetuese, me të cilat bullgarët do të përfshihen në Kushtetutë si një nga popujt që jetojnë në vend, por ato të hyjnë në fuqi pasi Bullgaria të ratifikojë marrëveshjen e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian pas përfundimit të tërë procesit të negociatave për anëtarësim.

"Euraktiv", megjithatë, dje ka transmetuar një kumtesë të Qeverisë së re bullgare se ajo refuzon të negociojë me Maqedoninë e Veriut për të liruar kushtet, në të cilat Shkupi mund të fillojë negociatat për anëtarësim në BE.

Portali nga Brukseli e transmeton deklaratën e kryeministrit Mickoski se pritet zgjedhja e qeverisë së rregullt në Sofje për të filluar negociatat për heqjen e vetos bullgare, por gjithashtu thekson se sinjalet e para nga pala bullgare janë se nuk do të ketë rifillim të dialogut.

"Bullgaria rikujton se përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut nuk është problem bilateral, por është kusht i Brukselit ndaj Shkupit, shkruan portali. rq/bsh/

Foto: arkivi i MIA-s

Остани поврзан