Takim i liderëve: Është arritur marrëveshje për heqjen e qeverisë teknike për zgjedhjet e ardhshme ose për zgjedhjet pasuese
- Të gjithë pjesëmarrësit në takimin e sotëm të liderëve u pajtuan që qeveria teknike duhet të hiqet, përveç liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili konsideron se për këtë duhet të konsultohen BE-ja dhe SHBA-ja. Vlerësimi i përbashkët ishte se takimi i liderëve ishte konstruktiv dhe se debati për çështjet që u hapën duhet të vazhdojë në nivel të grupeve parlamentare në Kuvend.
Shkup, 14 janar 2026 (MIA) - Të gjithë pjesëmarrësit në takimin e sotëm të liderëve u pajtuan që qeveria teknike duhet të hiqet, përveç liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili konsideron se për këtë duhet të konsultohen BE-ja dhe SHBA-ja. Vlerësimi i përbashkët ishte se takimi i liderëve ishte konstruktiv dhe se debati për çështjet që u hapën duhet të vazhdojë në nivel të grupeve parlamentare në Kuvend.
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Ligjin për Kundërvajtje që duhet të miratohen në Kuvend në mënyrë që projekti "Sejf siti" të fillojë më 1 shkurt, zgjedhja e Avokatit të Popullit dhe njësitë zgjedhore, ishin vetëm disa nga temat për të cilat diskutuan kryeministri dhe kryetar i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPNMNE-së, Nikolla Micevski, sekretari i përgjithshëm i ZNAM-it dhe ministër i Administratës Publike, Goran Minçev, kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami nga Koalicioni "Vlen", si dhe liderët e të Majtës dhe BDI-së, Dimitar Apasiev dhe Ali Ahmeti.

Në takimin e liderëve, siç deklaroi kryeministri Mickoski pas përfundimit të tij, nuk u fol për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
"Gjetëm një lloj kompromisi për Ligjin për kundërvajtje, ndërsa për qeverinë teknike në përgjithësi u pajtuam se duhet të mbetet në të kaluarën. Nëse nuk ka pëlqim te të gjitha grupet parlamentare që të pranohet propozimi për shfuqizimin e Qeverisë së Përzhinës, ajo të vlejë edhe për zgjedhjet e ardhshme, dhe pastaj të hiqet. Që të dalim nga qorsokaku, ne e pranojmë edhe atë kompromis. Nëse LSDM mendon se është e nevojshme të ketë qeveri teknike për zgjedhjet e ardhshme, në rregull. Por kushdo që fiton zgjedhjet e ardhshme, të mos ketë më qeveri teknike. Pati një sugjerim nga njëri prej të pranishmëve për t'u konsultuar me bashkësinë ndërkombëtare. Por, në përgjithësi, të gjithë ramë dakord që qeveria teknike duhet të mbetet një gjë e së kaluarës. Mendoj se duhet të tregojmë përgjegjësi se mund të marrim vendime të pjekura vetë. Për mua, ky është një vendim i pjekur. Sot patë që mungonte një koalicion. Nëse ai koalicion nuk e pranon këtë ndryshim në Ligjin për Qeverinë,me të cilin do të fshihej qeveria teknike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ai ligj ndryshohet me shumicë të thjeshtë në parlament, me 61 vota "pro". Megjithatë, propozimi im ishte të mos bëhet me forcë, pa pëlqimin e tyre, por të miratojmë ndryshime në Ligj, që pas zgjedhjeve të ardhshme qeveria teknike të mos jetë në fuqi. Nëse ata këmbëngulin kaq shumë që qeveria teknike të jetë në fuqi për këto zgjedhje, atëherë ndryshimet mos t'i përfshijenë zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por ato që do të pasojnë", tha Mickoski.

Nga ZNAM janë të vendosur se qeveria teknike duhet të hiqet.
"Qeveria teknike u prezantua si një zgjidhje e përkohshme në një kontekst specifik politik dhe me një qëllim të qartë - sigurimin e zgjedhjeve demokratike, të ndershme dhe të lira në kohë krize politike. Ky qëllim është përmbushur prej kohësh dhe disa cikle zgjedhore të zhvilluara me sukses janë pas nesh, përfshirë zgjedhjet e fundit lokale në vitin 2025", theksoi deputeti i ZNAM-it, Boban Karapejovski.

Lideri i të Majtës, Dimitar Apasiev, konfirmoi se është biseduar për heqjen e qeverisë teknike në dy variante -ose menjëherë ose, nëse jo për zgjedhjet e ardhshme, atëherë për ato pas zgjedhjeve parlamentare, varësisht nga LSDM-ja.
Edhe koalicioni "VLEN" pajtohet që qeveria teknike duhet të hiqet, ndërsa nëse nuk ka pëlqim nga të gjithë autorët politikë, atëherë, siç përmendi kryetari i komunës së Tetovës, Bilal Kasami, edhe zgjedhjet e ardhshme të rregullta parlamentare të mbahen me qeveri teknike dhe pastaj të hiqet.

"Lidhur me çështjen e qeverisë teknike, ne jemi të qëndrimit se duhet të konsultohemi shtesë me bashkësinë ndërkombëtare, faktorin ndërkombëtar dhe partnerët që janë bashkautorë të tekstit për qeverinë e Përzhinës - BE-në dhe SHBA-në", tha Ahmeti.
BDI e mbështet propozimin për një njësi zgjedhore me prag zgjedhor prej pesë për qind dhe lista të hapura, ndërsa për "VLEN" numri i listave zgjedhore nuk është i kontestueshëm, por është e rëndësishme të ketë lista të hapura.

"Për njësitë zgjedhore nuk kemi qëndrim, më me rëndësi është, sido që vendoset, edhe për një njësi zgjedhore, të ketë lista të hapura", tha Kasami i cili në takim kërkoi, siç informoi, me ndryshimet në Kodin Zgjedhor të mundësojnë edhe pjesëmarrje më e madhe të diasporës në votim.
Qëndrimi i kryeministrit dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së lidhur me këtë çështje është votimi i diasporës të shqyrtohet së bashku me një njësi zgjedhore
"Çështja e mënyrës së votimit për diasporën duhet të shqyrtohet së bashku me mundësinë e futjes së një njësie të vetme zgjedhore dhe në përputhje me kufizimet ligjore në vendet ku jetojnë mërgimtarët. "Para se të kalojmë te metoda e votimit për diasporën, duhet të përcaktojmë dy gjëra. Së pari, a do të kemi një njësi zgjedhore, sepse atëherë të gjitha votat do të bashkoheshin në një grup, pavarësisht nëse janë vota nga popullsia rezidente apo nga diaspora. Çështja e dytë, sipas tij, është fakti se ka vende që nuk lejojnë votim eksterritorial jashtë misioneve diplomatike dhe konsullore. Ka vende që lejojnë që votimi të organizohet ekskluzivisht brenda përfaqësive diplomatike dhe konsullore, por ka edhe nga ato që nuk e lejojnë fare. Kjo është një pengesë e vërtetë. Ne ramë dakord që duhet të jemi krijues dhe të vazhdojmë të mendojmë dhe diskutojmë, por në këtë pikë duhet të jetë në nivelin e koordinatorëve të grupeve parlamentare", deklaroi kryeministri.

Lidhur me çështjen e sigurimit të shumicës së dyfishtë për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, Ahmeti tha se ka kërkuar konsultime shtesë.
"Nuk janë bërë konsultimet e nevojshme, por veprimet u ndërmorën në mënyrë arbitrare, e demokracia konsensuale ka rregullat e veta. Ajo që mbetet është që koordinatorët e grupeve parlamentare të kërkojnë zgjidhje dhe konsultime shtesë se si mund të zgjidhet kjo çështje, theksoi Ahmeti.
Sipas të Majtës, siç tha Apasiev, Avokati i Popullit duhet të zgjidhet nga komuniteti rom.
Për ligjet e “Sejf Siti”, për të cilat është e nevojshme shumica e Badenterit dhe janë të bllokuara nga “Fronti Evropian” i udhëhequr nga BDI, Ahmeti theksoi se koordinatorët e grupeve parlamentare mbetet të takohen dhe të gjejnë një zgjidhje.

Mickoska i pyetur për mbështetjen e mundshme për ligjet me dy të tretat e shumicës së votave, përfshirë ligjin që lidhet me projektin "Sejf siti", theksoi se të gjitha ligjet reformuese që kanë një mendim pozitiv nga Komisioni i Venecias ose Komisioni Evropian duhet të mbështeten pa kushte.
“Të gjitha ligjet dhe procedurat që janë pjesë e agjendës së reformave dhe kanë një mendim pozitiv nga Komisioni i Venecias ose Zyra e Komisionit Evropian duhet të mbështeten, pavarësisht nga forma, sepse të gjithë jemi për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha Mickoski.
E Majta nga temat ekonomike në takimin e liderëve ka hapur çështjet për pagën minimale, apanazhin dhe shpenzimet e udhëtimit të deputetëve dhe zyrtarëve publikë, ndërsa ka kërkuar edhe kompensimin e familjeve të viktimave nga Koçani, por për të cilën, siç theksoi, hasën në vesh të shurdhër.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i cili refuzoi ftesën e Mickoskit, nuk erdhi në takim. ls/
Foto dhe video: MIA