• сабота, 22 февруари 2025

Tërmete me magnitudë prej 5,1 ballë afër Santorinit – për 19 ditë mbi 19,200 lëkundje

Tërmete me magnitudë prej 5,1 ballë afër Santorinit – për 19 ditë mbi 19,200 lëkundje

Athinë, 17 shkurt 2025 (MIA) - Një tërmet me magnitudë prej 5,1 ballë është regjistruar pak para orës 10:00 të mëngjesit të sotëm në zonën detare midis ishujve grekë Santorini dhe Amorgos, ndërsa pak minuta më parë ka pasur një tërmet më të vogël me magnitudë prej 4,2 ballë, ndërsa gjatë natës janë regjistruar dy lëkundje të reja prej 4,2 dhe 4,5 ballë sipas shkallës Rihter, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Tërmeti më i fortë në zonën detare mes Santorinit dhe Amorgos u regjistrua të hënën e kaluar dhe ishte me magnitudë prej 5,3 ballë sipas shkallës Rihter.

Sipas të dhënave nga Komiteti ndërdisiplinor për menaxhimin e rrezikut dhe krizave pranë Universitetit të Athinës, që nga fillimi i serisë së tërmeteve në zonën detare midis Santorinit dhe Amorgos, përkatësisht nga data 26 janar deri më 14 shkurt, janë regjistruar mbi 19,200 tërmete, nga të cilët mbi 16,900 ishin më të fortë se 1 ballë.

Për shkak të aktivitetit sizmik, shkollat ​​në ishujt Santorini, Ios, Amorgos dhe Anafi do të jenë të mbyllura edhe këtë javë, për të tretën javë radhazi.

Komisionet kompetente i përsëritën rekomandimet për qytetarët, përkatësisht shmangien e grumbullimeve të mëdha brenda objekteve; të shmangin qasjen në ndërtesa të braktisura; të shmangin qasjen dhe qëndrimin në portet Amudi, Armeni, Kërfos dhe portin e vjetër në Fira; t'i heqin objektet e rrezikshme të panevojshme nga objektet dhe të zbrazin ujin nga pishinat; të zgjedhin rrugë të sigurta gjatë lëvizjes përgjatë qytetit dhe të rrjetit rrugor lokal, veçanërisht në vendet ku ka rrezik rrëshqitjeje dheu, si dhe të evakuohen urgjentisht zonat bregdetare në rast të një tërmeti të fortë.

Komisionet do të mbajnë një mbledhje të re pasditen e së mërkurës.

Kryeministri i Greqisë, Kirjakos Micotakisht, siç publikoi dje MIA në rishikimin e tij tradicional në Fejsbuk, për tërmetet ka shkruar se sipas shkencëtarëve, ky është një fenomen i paprecedentë, me luhatje në dinamikë, që ende nuk mundëson një vlerësim të sigurt të zhvillimit të tij. ls/

 

Остани поврзан