• петок, 28 јуни 2024

Të paktën dy persona humbën jetën, ndërsa 10 u lënduan nga moti i ligë në Moskë

Të paktën dy persona humbën jetën, ndërsa 10 u lënduan nga moti i ligë në Moskë

Moskë, 20 qershor 2024 (MIA) - Të paktën dy persona humbën jetën, ndërsa 10 u lënduan në stuhinë e fuqishme me shi të rrëmbyeshëm, e shkaktuar nga fronti i ftohtë atmosferik, e cila sot e kaploi Moskën.

Ministria ruse e mbrojtjes civile, situatave të jashtëzakonshme dhe likuidimit të pasojave nga katastrofat natyrore paralajmëroi se sot deri në orën 22 në Moskë priten shira të rrëmbyeshëm dhe erë e fuqishme, si dhe mundësi për tornado në orët e ardhshme. 

Sinoptikanët njoftuan se për vetëm një orë në kryeqytetin rus kanë rënë 22 mm shi, që është një e treta e normës mujore. Në Moskë ishte shpallur niveli i 10-të portokalli i rrezikut për shkak të kushteve të këqija të motit, sepse era arriti shpejtësinë deri 25 metra në sekond.

Autoritetet e qytetit ju bëjnë thirrje banorëve që të përmbahen nga daljet jashtë, ndërsa të gjithë shoferët të kenë kujdes pas timonit. Për shkak të motit të keq në kryeqytetin rus, parqet dhe platformat e festivaleve janë mbyllur, ndërsa shërbimet për raste urgjente në qytet punojnë në regjim të përforcuar dhe shpejtë i heqin drurët e rënë dhe i çmontojnë stacionet e dëmtuara nga era. 

Aeroportet e Moskës "Sheremetjevo", "Vnukovo", "Domodedovo" dhe "Zhukovski" punojnë normal edhe krahas shiut të rrëmbyeshëm dhe motit të ligë. Nuk janë raportuar vonesa ose anulime të fluturimeve. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

Остани поврзан