• недела, 11 јануари 2026

Stuhia në Francë lë rreth 100.000 amvisëri pa energji elektrike

Stuhia në Francë lë rreth 100.000 amvisëri pa energji elektrike

Paris, 10 janar 2026 (MIA) - Pas stuhisë Goreti që goditi pjesë të Francës në 48 orët e fundit, rreth 100.000 amvisëri janë ende pa energji sot, kryesisht në Normandi, informon kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike Enedis.

Sipas raporteve, rreth 2.600 amvisëri në Bretanjë janë pa energji, bën të ditur "Le Figaro".

Kompania ka deklaruar se tre të katërtat e klientëve kanë rifituar energjinë, pasi 380.000 amvisëri mbetën fillimisht pa energji.

Disa mijëra teknikë dhe punëtorë në terren janë angazhuar për normalizimin e situatës, sipas Enedis.

Gjithsej tetë persona u lënduan në stuhinë në veri të vendit, dy prej tyre rëndë, ndërsa reaktori bërthamor në Flamanvil, në departamentin e Manshit është mbyllur.

Një burrë 26-vjeçar është shtruar në spital pasi ra nga një çati që po riparohej, ndërsa një tjetër u lëndua në rrethana të ngjashme, raporton gazeta.

Një paralajmërim i kuq për motin është lëshuar në rajonin e Lamanshit për shkak të erërave të forta që arrinë shpejtësi deri në 200 kilometra në orë.

Stuhia ka shkaktuar gjithashtu ndërprerje në shërbimet hekurudhore, ku janë paraqitur rreth 400 incidente.

Në rajonin më të goditur të Normandisë, shërbimet hekurudhore tani janë kthyer kryesisht në normalitet.

Foto: arkivi

 

Тагови

Остани поврзан