• вторник, 09 декември 2025

Starmer: Marrëveshja paqësore për Ukrainën duhet të jetë e drejtë dhe me garanci të fuqishme

Starmer: Marrëveshja paqësore për Ukrainën duhet të jetë e drejtë dhe me garanci të fuqishme

Londër, 8 dhjetor 2025 (MIA) – Presidenti ukrainas Volodomir Zelenski mbërriti në Dauning strit, ku po zhvillon bisedime me kryeministrin britanik Kir Starmer, presidentin francez Emanuel Makron dhe kancelarin gjerman Fridrih Merc. 

Starmeri është nikoqir i bisedimeve private, të cilat janë pjesë e përpjekjeve të përforcuara që të gjendet kornizë për armëpushim me Rusinë. 

Presidenti amerikan Donald Tramp paraprakisht e akuzoi Zelenskin se nuk e ka lexuar planin më të ri paqësor, duke shprehur “dëshpërim të vogël”, edhe pse thoshte se Vladimir Putini është “i kënaqur” nga ai. 

Starmeri theksoi se çdo marrëveshje paqësore duhet të përfshijë garanci të “fuqishme” të sigurisë për Ukrainën që të parandalohet mundësia që Rusia përsëri ta fillojë luftën. 

Ai dhe Makroni e kryesojnë “koalicionin e të përgatiturve”, i cili është i gatshëm ta mbështesë Kievin pas marrëveshjes eventuale, ndërsa Mbretëria e Bashkuar tashmë është e gatshme të dërgojë forca ushtarake si pjesë e garancive. 

“Do të kemi bisedime private me presidentin Zelenski dhe me kancelarin Merc dhe presidentin Makron, ku do t’i shqyrtojmë të gjitha aspektet e planit”, tha Starmeri pak pas takimit. 

Ai theksoi se konflikti zgjat afro katër vjet, se Rusia është agresor dhe se çdo armëpushim duhet të jetë i drejtë dhe i përhershëm. ”Ukraina pagoi çmim të madh për luftën të cilën nuk e filloi, ndërsa Putini nuk i respekton marrëveshjet pa garanci të fuqishme”, tha kryeministri. 

Edhe krahas kritikave nga Shtëpia e Bardhë se liderët evropianë kanë “pritje joreale”, Starmeri i dha mirënjohje Trampit për përpjekjet në javët e fundit. 

Në ndërkohë, sulmet ruse ndaj Ukrainës po vazhdojnë. Të paktën katër persona humbën jetën në sulmet e djeshme me dronë dhe raketa, ndërsa Moska vazhdon ta qëllojë infrastrukturën, duke e bërë dimrin “armë”, duke lënë civilë pa ngrohje dhe rrymë. 

Takimi në Londër vjen pas publikimit të strategjisë së re të sigurisë kombëtare të SHBA-së, e cila i jep përparësi normalizimit të marrëdhënieve me Moskën. Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov, tha dje se strategjia përputhet kryesisht me vizionin e Rusisë. fc/

Foto: DPA

Остани поврзан