Slot është penduar për veprimet e tij pas derbit me Evertonin
- Trajneri i Liverpulit, Arne Slot shpreh keqardhje për veprimet e tij pas barazimit me Evertonin në "Gudison park" të martën mbrëma. Derbi përfundoi në mënyrë dramatike, ku nikoqirët barazuan thellë në kohën shtesë 2-2.

Liverpul, 14 shkurt 2025 (MIA) - Trajneri i Liverpulit, Arne Slot shpreh keqardhje për veprimet e tij pas barazimit me Evertonin në "Gudison park" të martën mbrëma. Derbi përfundoi në mënyrë dramatike, ku nikoqirët barazuan thellë në kohën shtesë 2-2.
Pas fishkëllimës së fundit, mes lojtarëve të të dyja skuadrave erdhi deri te një përplasje serioze, me çka gjyqtari Majkëll Oliver dha katër kartonë të kuq, mes tyre edhe për menaxherin e "të kuqve".
Sloti mori guximin ta tërhiqte Oliverin nga krahu, duke shkëmbyer disa fjalë me të. Menjëherë më pas, gjyqtari i dha atij karton të kuq.
Në konferencën e tij për shtyp para ndeshjes kundër Vulverhemptonit, Sloti refuzoi të zbulojë arsyen e përjashtimit të tij, duke shpjeguar se për momentin është duke u zhvilluar hetim.
Është ende e paqartë nëse Sloti do të jetë në stolin e Liverpulit për ndeshjen në shtëpi kundër "ujqërve" të dielën. Fillimisht, klubi i Premier ligës e gjobiti holandezin me dy ndeshje, por pak minuta më vonë ndryshoi vendimin dhe paralajmëroi se pret raportin e arbitrit për vendim përfundimtar.
"Për momentin është duke u zhvilluar një proces dhe duhet ta respektoj, ndaj nuk mund të hyj në detaje. Në fund ndodhi që pesë minutat shtesë të bëhen tetë. Ndodh shpesh dhe në këtë rast mbizotëruan emocionet. Duke parë atë që ndodhi, do të doja që reagimi im të kishte qenë ndryshe. Herën tjetër do të reagoj ndryshe. Ka një proces të vazhdueshëm në lidhje me atë që u tha dhe çfarë ndodhi dhe nuk dua ta prish atë", ka thënë Sloti.
Foto: arkivi