Siria shënon njëvjetorin e rrëzimit të Asadit
- Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Shara gjatë shënimit të njëvjetorit të rrëzimit nga pushteti të sundimtarit Bashar al-Asad, u ka bërë thirrje sirianëve që të punojnë së bashku për rindërtimin e shtetit të tyre.
Damask, 8 dhjetor 2025 (MIA) - Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Shara gjatë shënimit të njëvjetorit të rrëzimit nga pushteti të sundimtarit Bashar al-Asad, u ka bërë thirrje sirianëve që të punojnë së bashku për rindërtimin e shtetit të tyre.
Aleanca e udhëhequr nga islamistët e Sharas nisi një ofensivë në fund të nëntorit të vitit të kaluar, duke marrë kryeqytetin sirian, Damask më 8 dhjetor pas pothuajse 14 vjetësh luftë dhe duke i dhënë fund sundimit mbi pesëdekadësh të familjes Asadit.
Pas namazit të sabahut në Xhaminë Umajad në Damask, Shara "lavdëroi sakrificat dhe heroizmin e luftëtarëve" që hynë në Damask, sipas një njoftimi të lëshuar nga Presidenca.
"Faza aktuale kërkon bashkimin e përpjekjeve nga të gjithë qytetarët për të ndërtuar një Siri të fortë, për të konsoliduar stabilitetin e saj, për të mbrojtur sovranitetin e saj dhe për të pasur një të ardhme që i përket sakrificave të popullit të saj", tha Shara, i veshur me uniformë ushtarake, ashtu siç kishte bërë kur hyri në kryeqytet një vit më parë.
Qytetarët sirianë që nga fundi i nëntorit kanë shënuar përvjetorin e parë që nga fillimi i ofensivës, me festime që kulmuan të hënën në ngjarje në Damask, përfshirë një paradë ushtarake dhe një fjalim të planifikuar nga Shara.
Shara, i cili është shkëputur nga e kaluara e tij xhihadiste, ka arritur të rivendosë statusin ndërkombëtar të Sirisë dhe ka arritur që të ketë lehtësim të sanksioneve për shtetin e tij.
Por, ai po përballet me sfida të mëdha në garantimin e sigurisë, rindërtimin e institucioneve të shkatërruara, rikthimin e besimit të sirianëve dhe ruajtjen e unitetit të shtetit të tij.
Përplasjet sektare në bastionet e minoriteteve alavite dhe druze të vendit, së bashku me operacionet e vazhdueshme ushtarake izraelite, e kanë lëkundur tranzicionin e brishtë të Sirisë.
Përmes një deklarate, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh, tha se "ajo që qëndron përpara është shumë më tepër se një tranzicion politik, është mundësia për të rindërtuar komunitete e shkatërruara dhe për të shëruar ndarjet e thella".
"Është një mundësi për të krijuar një komb ku çdo sirian, pa marrë parasysh etninë, fenë, gjininë ose përkatësinë politike, mund të jetojë në siguri, me barazi dhe me dinjitet", tha ai, duke bërë thirrje për mbështetje nëdrkombëtare.
Një udhëheqës i shquar shpirtëror i alavitëve të shtunën në Siri u bëri thirrje anëtarëve të këtij minoriteti fetar, ku bën pjesë edhe familja Assad, që të bojkotojnë festimet si shenjë proteste kundër autoriteteve të reja "shtypëse".
Po ashtu të shtunën, administrata kurde që kontrollon pjesë të mëdha të verilindjes së Sirisë njoftoi një ndalim të tubimeve dhe ngjarjeve publike për të dielën dhe të hënën, duke u thirrur në arsye sigurie.
Sipas një marrëveshjeje të marsit, administrata kurde pritet të integrojë institucionet e saj në qeverinë qendrore deri në fund të vitit, por përparimi në këtë drejtim ka ngecur.
Udhëheqësi kurd, Mazlum Abdi dje në një postim në X, rikonfirmoi angazhimin e kurdëve ndaj marrëveshjes, duke thënë se ajo është baza "për ndërtimin e një Siri demokratike, të decentralizuar… e forcuar nga vlerat e lirisë, drejtësisë dhe barazisë". mb/
Foto: MIA