• сабота, 22 февруари 2025

Siljanovska-Davkova pret dorëheqje nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor: Ata nuk u zgjodhën për të qenë mjeshtër të skandaleve gjyqësore, por për të parandaluar skandalizimin e gjyqësorit të pavarur

Siljanovska-Davkova pret dorëheqje nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor: Ata nuk u zgjodhën për të qenë mjeshtër të skandaleve gjyqësore, por për të parandaluar skandalizimin e gjyqësorit të pavarur

Shkup, 11 shkurt 2025 (MIA) - Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova pret që anëtarët e Këshillit Gjyqësor të japin dorëheqje. Ky është një apel për moral, tha sot, sepse janë zgjedhur jo për të qenë mjeshtër të skandaleve, por për të parandaluar çdo skandalizim të gjyqësorit të pavarur.

Sipas Siljanovska-Davkovës, duhet të ketë mekanizma ligjorë që do të mundësojnë rekrutimin e më të mirëve në organe të tilla, e jo të vendoset theksi te politizimi dhe partizimi.

Presidentja nuk u beson të dhënave me të cilat dolën gjyqtarët, se besimi i qytetarëve tek gjyqësori është 20 për qind dhe, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetares, theksoi edhe “paradoksin maqedonas”, se interpelanca në vend nuk ka fund.

"Unë kohë më parë, ndoshta ndër të parët, së bashku me koalicionin për një proces të drejtë, kam vënë në dukje mundësinë e një interpelance. Është e vërtetë që mekanizmi i interpelancës në të drejtën kushtetuese krahasuese i referohet përgjegjësisë së ministrave, por Kushtetuta jonë e njeh atë edhe për të gjithë zyrtarët e zgjedhur dhe të emëruar. Hapi i parë ishte votimi, mospranimi i Raportit nga Këshilli Gjyqësor, i cili tashmë është një hap drejt delegjitimimit të Këshillit Gjyqësor. Hapi i dytë është interpelanca. Nëse e gjykojmë fundin sipas fillimit, rezultati është i qartë, sepse më duket 67 deputetë e kanë përkrahur iniciativën, kurse shumica janë 61. Pra, rezultati dihet paraprakisht, theksoi Siljanovska-Davkova pas ngjarjes “Mëngjesi global i grave 2025”.

Ajo vuri në dukje se shumë nga anëtarët aktualë të Këshillit Gjyqësor nuk i plotësojnë kërkesat ligjore.

"Nëse rilexoni Ligjin për Këshillin Gjyqësor, do të shihni se shumë prej anëtarëve aktualë të Këshillit Gjyqësor nuk i plotësojnë as kushtet e renditura aty, të cilat duhet të jenë një garanci e rëndësisë si 15 vjet përvojë në sferën juridike, argumentim, profesor, ekspertizë, kompetencë,... Shumë më tepër duket se te disa prej tyre vlen mbiemri partizuar, i politizua. Nëse i kthehemi gjenezës së problemit me Këshillin Gjyqësor, do të konkludojmë menjëherë se në gjyqësor, veçanërisht në Këshillin Gjyqësor, i cili si mikroskop monitoron punën e gjyqtarëve, i emëron dhe i shkarkon ata, duhet të ketë një dozë të madhe të përgjegjëisë, ndërsa përgjegjësia lidhet me etikën. Sugjerimi im atëherë ishte që anëtarët përgjegjës të Këshillit Gjyqësor të jepnin dorëheqjen menjëherë pas skandaleve që po ndodhnin, kurse ata aty u zgjodhën jo për të qenë mjeshtër për skandale gjyqësore, por për të parandaluar çdo skandalizim të gjyqësorit të pavarur. Dhe, unë ende pres që ata të jenë të virtytshëm dhe ta bëjnë këtë. Nëse kësaj i shtohet edhe përqindja e qytetarëve që nuk kanë besim te Këshilli Gjyqësor, do të shihet se ky është një apel ndaj moralit, etikës së gjyqtarëve", theksoi presidentja.

Siljanovska-Davkova potencoi edhe zgjidhjen ligjore sipas së cilës kryetar i Këshillit Gjyqësor mund të jetë vetëm nga radha e të zgjedhurve nga Kuvendi.

"A shihni ndonjë logjikë këtu? Jo vetëm që nuk ka bazë ligjore, por nuk ka as logjikë elementare. Pra, theksi vihet te politizimi dhe partizimi, siç mund të jenë vetëm këto. Paradoksi maqedonas është se interpelanca nuk ka fund. Ngjashëm është edhe me interpelancën për ministrat dhe të gjithë janë të befasuar nga kjo, sepse interpelancat duhet të kenë një fund. Kur bëhet fjalë për ministrat, çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se kryeministri si i pari në ekip mund të ndryshojë kë të dojë dhe si të dojë. Nuk ka një gjë të tillë në vendin tonë sepse kemi ruajtur elementë të sistemit parlamentar", tha Siljanovska-Davkova.

Grupet parlamentare të VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe ZNAM-it më 7 shkurt të këtij viti kanë dorëzuar interpelancë për punën e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të cilët zgjidhen nga Kuvendi. Interpelanca është për Vesna Damevën, Milazim Mustafën, Tanja Çaçarova-Ilievskën, Pavlina Cërvenkovskin dhe Selim Ademin. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, dje i ka njoftuar se ndaj tyre është iniciuar interpelancë në Dhomën ligjdhënëse. ls/

Foto: MIA

 

 

Остани поврзан