• петок, 05 декември 2025

Siljanovska-Davkova: Duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar barazi në shanset e personave me aftësi të veçanta

Siljanovska-Davkova: Duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar barazi në shanset e personave me aftësi të veçanta

Shkup, 3 dhjetor 2025 (MIA) - Janë të nevojshme ndryshime ligjore, ndryshime institucionale dhe ndryshime në ndërgjegjësimin e njerëzve, tha sot presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, e cila, me rastin e 3 dhjetorit - Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Veçanta, e vizitoi Shkollën e mesme shtetërore me qendër burimore "Partenija Zografski" Shkup, e cila së fundmi e festoi 70-vjetorin e saj.

Ajo theksoi se në botë ka rreth 15 përqind të njerëzve me nevoja të veçanta ose aftësi të veçanta, dhe në vendin tonë ka një përqindje të ngjashme, dhe kjo, siç theksoi, është një shifër shumë relevante për kujdes të veçantë.

Presidentja kujtoi ceremoninë e djeshme për ndarjen e mirënjohjeve „Ability Awards 2025“, në të cilën mori pjesë dhe shtoi se i është kujtuar se është profesoreshë e së drejtës kushtetuese. "Parimi i përfaqësimit të drejtë dhe të përshtatshëm, i cili garantohet me ndryshimet kushtetuese të vitit 2001, duhet të zbatohet, pa shkelur parimin kur bëhet fjalë për përkatësinë etnike, por duhet ta marrim parasysh edhe në aspektin e kategorive të njerëzve për të cilët jam këtu sot, tha Siljanovska-Davkova. Ajo theksoi se gjatë ceremonisë së ndarjes së mirënjohjeve panë aftësi të ndryshme, inteligjencë, kreativitet, suksese...

"Pse atëherë mos t'i hapim dyert e të gjitha institucioneve, pikërisht për këtë kategori njerëzish, sepse nuk është vetëm për shkak të zhvillimit personal, por edhe për zhvillimin e kësaj shoqërie. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Së dyti - duhet të rritet numri i shkollave të këtij lloji sepse këtu shohim se, ndër të tjera, ka edhe një shtëpi ku vijnë njerëz nga brendësia e vendit. Nëse ka më shumë, në më shumë qytete, atëherë është më e lehtë për familjet dhe për vetë nxënësit, sepse shtëpia është shtëpi. Në këtë mënyrë do të ketë më shumë punësime, në këtë mënyrë do të ketë më shumë kujdes sepse nëse kemi qendra rajonale të këtij lloji në disa komuna, kjo do ta bëjë jetën më të lehtë për personat me aftësi të veçanta, me nevoja të veçanta, dhe gjithashtu do të mundësojë kujdes më të mirë për ta nga mësuesit sepse e meritojnë", deklaroi presidentja. 

Mjedisi, siç tha, është ai që hap mundësi për të gjithë ne pavarësisht dallimeve, për të treguar, për të vërtetuar atë që kemi. 

"Numri na kujton të gjithëve se duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar barazi në shanset dhe për t'u mundësuar edhe atyre të përshtaten dhe të kenë sukses me njohuritë dhe aftësitë e tyre, tha Siljanovska-Davkova.

 

Foto: MIA

Остани поврзан