Siljanovska-Davkova: Betimi është detyrim ndaj shtetit, por edhe ndaj së vërtetës dhe drejtësisë
- Betimi nuk është vetëm fjalë patriotike, por një shprehje e vendosmërisë, qëndrueshmërisë dhe besnikërisë, tha sot presidentja Gordana Siljanovska-Davkova me rastin e betimit të klasës së 29-të të kadetëve të Akademisë ushtarake "Gjeneral Mihailo Apostolski", duke theksuar rëndësinë e rolit të tyre në ruajtjen e lirisë, sigurisë dhe stabilitetit të shtetit.
Shkup, 10 nëntor 2025 (MIA) - Betimi nuk është vetëm fjalë patriotike, por një shprehje e vendosmërisë, qëndrueshmërisë dhe besnikërisë, tha sot presidentja Gordana Siljanovska-Davkova me rastin e betimit të klasës së 29-të të kadetëve të Akademisë ushtarake "Gjeneral Mihailo Apostolski", duke theksuar rëndësinë e rolit të tyre në ruajtjen e lirisë, sigurisë dhe stabilitetit të shtetit.
Ajo theksoi se oficerët e rinj hyjnë në shërbim në një kohë sfidash globale, konflikte ushtarake dhe tensionesh gjeopolitike, dhe se prej tyre pritet të respektojnë standardet më të larta profesionale dhe morale. Presidentja kujtoi rëndësinë e Akademisë ushtarake si një institucion themelor për edukimin mbrojtës, e cila jo vetëm që formon oficerët e ardhshëm të Maqedonisë së Veriut, por edhe promovon bashkëpunimin rajonal.

"E di që vini nga hapësira gjeografike të ndryshme, vini nga ambiente sociale të ndryshme, keni përkatësi etnike, fetare, gjuhësore dhe të tjera të ndryshme. Por, të gjitha këto karakteristika, për momentin janë të parëndësishme, jo vetëm për ju, por edhe për mua, sepse unë ju shoh kadetë të kujdesshëm dhe të disiplinuar, për të cilët, si komandante supreme e Armatës, jam veçanërisht krenare, u besoj dhe i inkurajoj në rrugën që kanë zgjedhur", theksoi presidentja, duke shtuar se uniforma që mbajnë është simbol i dijes, përkushtimit dhe guximit.
Presidentja theksoi rëndësinë e Akademisë, e cila është e hapur edhe për kadetët e NATO-s dhe të shteteve partnere.

Në fjalimin e saj, ajo gjithashtu iu referua figurës së gjeneralit Mihailo Apostolski, duke thënë se shpirti dhe vlerat e tij duhet të jenë udhërrëfyes për gjeneratat e reja.
Betimin e klasës së 29-të të kadetëve, studentëve dhe praktikantëve nga Kursi i oficerëve dhe oficerëve të shtabit e dhanë 31 kadetë dhe praktikantë, ndërsa këtë vit në Akademinë ushtarake procesin arsimor do ta ndjekin pesë kadetë nga Bosnja dhe Hercegovina dhe dy nga Mali i Zi. qa/
Foto: MIA