Shtëpia e Bardhë e publikoi listën e Komitetit të Paqes në Rripin e Gazës
- - Shtëpia e Bardhë mbrëmë i publikoi emrat e anëtarëve të të ashtuquajturit Komitet të Paqes, cili, sipas planit të Presidentit Donald Tramp, do të mbikëqyrë administratën e përkohshme në Rripin e Gazës, ku armëpushimi që nga tetori i vitit të kaluar po shkelet çdo ditë.
Uashington, 17 janar 2025 (MIA) - Shtëpia e Bardhë mbrëmë i publikoi emrat e anëtarëve të të ashtuquajturit Komitet të Paqes, cili, sipas planit të Presidentit Donald Tramp, do të mbikëqyrë administratën e përkohshme në Rripin e Gazës, ku armëpushimi që nga tetori i vitit të kaluar po shkelet çdo ditë.
Ndër emrat janë Sekretari shtetëror amerikan, Marko Rubio, i dërguari special i Trampit, Stiv Uitkof, ish-kryeministri britanik Toni Bler dhe dhëndri i Trampit, Xhared Kushner, kumtoi Shtëpia e Bardhë.
Trampi është kryetar i Komitetit të Paqes.
Në listën prej shtatë personave, pesë prej të cilëve janë amerikanë, që përbëjnë atë që Shtëpia e Bardhë e quan "komiteti ekzekutiv themelues" ndodhen Mark Rouan, miliarderi dhe udhëheqësi i fondit të investimeve "Apollo Global Management", kryetari i Bankës Botërore Axhaj Banga dhe Robert Gabriel, këshilltar i Donald Trampit, ndërsa ish-ministri bullgar i Mbrojtjes dhe ish-përfaqësues i OKB-së në Lindjen e Afërt do të jetë përfaqësues i lartë për Rripin e Gazës.
Secili prej tyre do të mbikëqyrë një sektor të përcaktuar thelbësor për stabilizimin dhe suksesin afatgjatë të Gazës, duke përfshirë krijimin e strukturave qeverisëse, marrëdhëniet rajonale, rindërtimin, tërheqjen e investimeve, financimin në shkallë të gjerë dhe mobilizimin e kapitalit, theksohet në kumtesën e Shtëpisë së Bardhë.
Ish-komandanti i operacioneve speciale të SHBA-së, gjeneralmajor Xhasper Xhefers, është emëruar komandant i Forcave ndërkombëtare për stabilizimin e territorit palestinez.
Kumtesa përkon me fillimin e punës së komitetit teknokratik palestinez të sapoformuar përgjegjës për administratën e përkohshme të Rripit të Gazës, i cili do të veprojë nën mbikëqyrjen e Komitetit të Paqes.
Faza e dytë e armëpushimit të brishtë, e cila hyri në fuqi më 10 tetor nën presionin e SHBA-së, bën thirrje gjithashtu për çarmatimin e Hamasit, tërheqjen graduale të trupave izraelite nga Rripi i Gazës dhe vendosjen e Forcave ndërkombëtare për stabilizim.
Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit në Rripin e Gazës, ku më shumë se 440 palestinezë, përfshirë më shumë se 100 fëmijë, dhe tre ushtarë izraelitë janë vrarë që kur armëpushimi hyri në fuqi në tetor. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s