• петок, 05 декември 2025

Shtyhen seancat gjyqësore kundër Merkos dhe për lehonën nga Dibra, gjobë në të holla për avokatin e të akuzuarve të parë

Shtyhen seancat gjyqësore kundër Merkos dhe për lehonën nga Dibra, gjobë në të holla për avokatin e të akuzuarve të parë

Strugë, 17 nëntor 2025 (MIA) – Në Gjykatan Themelore në Strugë sot përsëri ishin shtyrë seancat gjyqësore kundër ish-kryetarit të komunës, Ramis Merko për vendosjen e paligjshme të një pllake përkujtimore në hyrje të ndërtesës komunale dhe për një marrëveshje të lidhur për ndriçimin e një pjese të shtratit të lumit Drini i Zi, si dhe për rastin r lehonës Jilldiz Veaposka nga Dibra, së cilës iu hoqën tre organe pas lindjes në Spitalin e Strugës, për të cilin në bankën e të akuzuarve u ulën tre mjekë: gjinekologu Muhamed Asani, djali i tij  mjeku Blerton Asani dhe mjekja Liljana Jovanoska.

Shkak për shtyrjen, siç theksoi gjykatësi Jordan Jovanov, është mungesa e avokatit të të akuzuarve të parë në tre lëndët, për çka Gjykata vendosi të dënohet me nga 1.000 euro për çdo lëndë, gjegjësisht gjithsej 3.000 euro. 

“Avokati i të akuzuarve të parë kërkoi shtyrje duke iu referuar lëndës së njëjtë për të cilën kërkonte shtyrje edhe më 7 nëntor. Kjo domethënë se në kohën kur është marrë ftesa e parë e avokatit tashmë e ka ditur se ka të caktuara këtu edhe lëndë të tjera, megjithatë i shtyu të gjitha këto seanca për shkak të asaj se një është në PTHP Manastir”, deklaroi Jovanov. 

Ai theksoi se nuk është ndërmarrë kurrfarë reagimi për atë gjykim ose marrje në pyetje të shtyhet edhe pse dihet se në Gjykatën në Strugë ka kushte për mbajtjen e seancave, për të cilat në vazhdimësi kërkohet shtyrje. 

“I është shqiptuar dënim në të holla në vlerë prej 1.000 eurove, i paraparë në Ligjin për procedurën penale për keqpërdorim të të drejtave që u takojnë palëve dhe një sanksion i tillë është shqiptuar për çdo lëndë në veçanti”, sqaroi Jovanov. 

Për rastin me Veaposkën, përveç gjobës në të holla, për shkak të shtyrjeve të shumta, gjykata mori vendim që të përcaktohet avokat i ri, i cili do t’i përfaqësojë interesat e të akuzuarve. 

“Në këtë mënyrë, gjykimi nuk do të zgjatet. Në rast se ndonjë nga avokatët mbrojtës të të akuzuarve nuk mund të paraqitet, ai mund t'i përfaqësojë ata, pasi do të jetë i njohur me të gjithë dosjen e çështjes dhe do të jetë në gjendje të mbrojë interesat e ndonjërit prej tyre”, theksoi  Jovanov, duke theksuar se avokati aktual nuk do të thirret nga gjykata në seanca dëgjimore, por nuk e përjashton mundësinë që pala ta thërrasë atë.

Ai mbetet në qëndrimin për shtyrje minimale të seancave gjyqësore me qëllim të përfundimit të shpejtë të procedurës. 

Nëse rasti, i cili vjetërsohet në gusht të vitit të ardhshëm, nuk përfundon deri në fund të këtij muaji, e dëmtuara Veaposka paralajmëroi protesta në qytetin e saj të lindjes Dibër, para Gjykatës së Strugës dhe para Gjykatës Penale në Shkup. 

“Unë kërkoj drejtësi për mua dhe të mos ketë grua tjetër të dëmtuar si unë. Mjekët të përgjigjen për gabimet e tyre dhe të mos ketë pritje për vendime gjyqësore”, theksoi Veaposka. 

Procesi gjyqësor për rastin me lehonën nga Dibra, të cilës pas lindjes me operacion cezarian në Spitalin në Strugë i ishin hequr, vezore, mitra dhe veshka, do të vazhdojë të mërkurën, me prezantimin e raportit nga superekspertiza. fc/

Foto: MIA

 

Остани поврзан