Shqipëria më 18 shkurt do të jetë nikoqire e Forumit Ekonomik të Korridorit 8
- Shqipëria më 18 shkurt do të jetë nikoqire e Forumit Ekonomik të Korridorit 8, njoftoi sot Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ), duke vlerësuar se Evropa po hyn në një fazë vendimtare ku ndërlidhshmëria, qëndrueshmëria dhe integrimi rajonal po bëhen shtylla qendrore të sigurisë dhe zhvillimit ekonomik.
Tiranë, 5 shkurt 2026 (MIA) - Shqipëria më 18 shkurt do të jetë nikoqire e Forumit Ekonomik të Korridorit 8, njoftoi sot Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ), duke vlerësuar se Evropa po hyn në një fazë vendimtare ku ndërlidhshmëria, qëndrueshmëria dhe integrimi rajonal po bëhen shtylla qendrore të sigurisë dhe zhvillimit ekonomik.
"Në këtë kontekst, Korridori VIII Pan-Evropian, që lidh Detin Adriatik dhe Detin e Zi, po shfaqet si një nga projektet më strategjike të infrastrukturës dhe ndërlidhshmërisë për Evropën Juglindore dhe kontinentin më të gjerë evropian. Si një komponent thelbësor i Rrjetit Trans-Evropian të Transportit (TEN-T), korridori ndërlidh Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, ndërsa shtrihet drejt Italisë dhe Rumanisë", qëndron në ueb faqen e Ministrisë.
Ky korridor, shtohet, e përforcon lidhjen rajonale, sigurinë kolektive dhe qëndrueshmërinë lindje-perëndim të Evropës, ndërsa një hap i rëndësishëm në avancimin e këtij projekti do të jetë Forumi Ekonomik që do të mbahet në Tiranë.

Në Forum do të marrin pjesë përfaqësues të qeverive, institucioneve evropiane, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe komunitetit të biznesit, me qëllim përshpejtimin e investimeve, thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe konkretizimin e përfitimeve ekonomike për qytetarët dhe bizneset në rajon.
"Avancimi i Korridorit VIII do të thotë përshpejtim i investimeve, thellim i bashkëpunimit rajonal dhe ofrim i përfitimeve të prekshme ekonomike për qytetarët dhe bizneset në të gjithë rajonin. Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar për të punuar me partnerët rajonalë dhe evropianë për ta transformuar Korridorin VIII në një motor të fuqishëm të integrimit, rritjes së qëndrueshme dhe prosperitetit të përbashkët", theksohet në publikimin e MEPJ-së së Shqipërisë. ls/
Foto: Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë.