SHBA-ja njofton se Izraeli e përkrah planin e tyre për armëpushim në Gazë
- Izraeli e pranoi propozimin e SHBA-së për armëpushim të përkohshëm në konfliktin në Gazë, kumtoi Shtëpia e Bardhë.
Tel Aviv, 30 maj 2025 (MIA) - Izraeli e pranoi propozimin e SHBA-së për armëpushim të përkohshëm në konfliktin në Gazë, kumtoi Shtëpia e Bardhë.
Zëdhënësja e presidentit amerikan Donald Tramp, Karolin Livit mbrëmë deklaroi se bisedat me të gjitha palët janë në vijim dhe se SHBA-ja ka shpresë për armëpushim dhe kthim të të gjithë pengjëve nga Gaza.
Ajo theksoi se nëse arrihet marrëveshje, Shtëpia e Bardhë do ta publikojë, por nuk dha kurrfarë hollësira për propozimin aktual për armëpushim.
Lëvizja palestineze Hamas dje konfirmoi se përmes ndërmjetësuesve ndërkombëtarë ka marrë propozim të ri për armëpushim, të përgatitur nga i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Stiv Uitkof.
Në kumtesën për media, Hamasi njoftoi se me përgjegjësi e studion propozimin dhe se "çdo përgjigje do të bazohet në interesat e popullit palestinez, me fokus në zbutjen e vuajtjeve humanitare në Rripin e Gazës dhe arritjen e armëpushimit të përhershëm".
Propozimi i ri i Uitkofit parashikon armëpushim 60-ditor në Rripin e Gazës, i cili përfshin lirimin e 10 pengjëve në dy grupe në afat prej një jave, njoftuan mediumet izraelite.
Hamasi duhet t'i dorëzojë trupat e 18 personave të rrëmbyer, të cilët ende mbahen në Gazë, ndërsa trupat e 180 palestinezëve po ashtu do të kthehen.
Izraeli, po ashtu, do të lironte 125 palestinezë, të dënuar në burg të përjetshëm dhe 1.111 banorë të Gazës, të cilët kanë qenë në burgjet izraelite nga sulmet e udhëhequra të Hamasit më 7 tetor të vitit 2023.
Armëpushimi dymujor është i dedikuar për t'i lehtësuar negociatat për dhënien fund të konfliktit pothuaj 20-mujor, njoftoi DPA.
Nëse Izraeli dhe Hamasi arrijnë marrëveshje, pengjët e tjerë të cilët mbahen në Gazë do të liroheshin sipas propozimit më të ri.
Propozimi po ashtu parashikon se distribuimi i ndihmës në Rripin e Gazës përsëri do të udhëhiqet nga Kombet e Bashkuara dhe organizatat humanitare ndërkombëtare.
Armata izraelite, sipas propozimit, duhet të tërhiqet në pozitat që i ka mbajtur para fillimit të ofensivës së fundit në mars.
Sipas burimeve izraelite, të paktën 20 pengj ende janë të gjallë në Rripin e Gazës. Fati i tre personave tjerë të rrëmbyer është i paqartë. bsh/
Foto: EPA