Sezhurne: Paralajmërimi i Trampit për ndërprerje të marrëdhënieve tregtare me Spanjën është kërcënim për Evropën
- – Paralajmërimi i presidentit amerikan Donald Tramp se do t’i ndërpresë marrëdhëniet tregtare me Spanjën për shkak të kritikës së luftës ndërmjet SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit përfaqëson “kërcënim për Evropën”, deklaroi nënkryetari i Komisionit Evropian për Prosperitet dhe Strategji Industriale, Stefan Sezhurne.
Bruksel, 5 mars 2026 (MIA) – Paralajmërimi i presidentit amerikan Donald Tramp se do t’i ndërpresë marrëdhëniet tregtare me Spanjën për shkak të kritikës së luftës ndërmjet SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit përfaqëson “kërcënim për Evropën”, deklaroi nënkryetari i Komisionit Evropian për Prosperitet dhe Strategji Industriale, Stefan Sezhurne.
Sezhurne, ish shef i diplomacisë franceze, gjithashtu, tha se kërcënimi për Evropën është “kërcënim për të gjithë”, njoftoi Fajneshënëll tajms.
“Kërcënimi për Evropën është kërcënim për të gjithë. E pamë këtë në kontekst të Grenlandës, (në Evropë) ekziston unitet për atë çështje”, tha Sezhurne, ish sekretar i përgjithshëm i partisë “Renesansa” e presidentit francez Emanuel Makron.
Trampi e quajti qeverinë e majtë të Spanjës, e kryesuar nga socialisti Pedro Sançez, “të tmerrshme” dhe paralajmëroi ndërprerje të të gjitha lidhjeve tregtare, duke theksuar se SHBA-ja “nuk dëshiron të ketë asgjë me Spanjën”.
Sançezi dje iu përgjigj kërcënimeve të Trampit, duke thënë se qëndrimi i Qeverisë spanjolle është “Jo për luftë”. Ai, gjithashtu, bëri thirrje të “mos përsëriten gabimet nga e kaluara”, duke folur për pushtimin amerikan në Irak në vitin 2003, për të cilin tha se nuk i arriti qëllimet e tij, krijoi pasiguri dhe e përkeqësoi jetën e shumë njerëzve.
Antonio Koshta, kryetari i Këshillit Evropian, mbrëmë bisedoi me Sançezin në telefon, i cili e shprehu solidaritetin e tij me Spanjën.
“BE-ja do të kujdeset gjithmonë që interesat e shteteve anëtare të mbrohen plotësisht. Ne riafirmojmë angazhimin tonë të vendosur ndaj parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla kudo në botë", shkroi Koshta në Iks. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s