Sela: Gjykata Themelore në Tetovë vendosi që unë jam kryetar i Aleancës për Shqiptarët, pres që betejën ta fitojmë edhe në fazën e dytë
- Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela sot në konferencë për media në Kuvend kumtoi se në bazë të vendimit të Gjykatës Themelore në Tetovë, ai është kryetar i partisë.

Shkup, 12 shkurt 2025 (MIA) - Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela sot në konferencë për media në Kuvend kumtoi se në bazë të vendimit të Gjykatës Themelore në Tetovë, ai është kryetar i partisë.
"Sot për herë të dytë Gjykata Themelore në Tetovë vendosi që kryetar i Aleancës për Shqiptarët duhet të regjistrohem unë, Zijadin Sela si përfaqësues i tyre dhe kryetar i Aleancës për Shqiptarët. Dhe unë jam këtu për t'ua dhënë lajmin anëtarëve të ASH-së dhe qytetarëve, sepse partitë politike kanë dimensione dhe janë krijuar për të mirën e përgjithshme", tha ai.
Sipas Selës, për momentin ky është një akt dhe moment i rëndësishëm, pasi që, siç ka potencuar, veçmë është duke u qartësuar rruga e Aleancës për Shqiptarët.
"ASH-ja i takon themeluesve të saj. ASH-ja po u kthehet rrënjëve dhe si e tillë sqarimi i kësaj situate se kujt i përket Aleanca për Shqiptarët është shumë i rëndësishëm për qytetarët e Republikës së Maqedonisë, para së gjithash për shqiptarët, për bashkësitë tjera të përbashkëta", tha ai.
Në pyetjen e gazetarëve a do ta pranojnë vendimin nëse Gjykata e Apelit e shfuqizon sërish, Sela pret që edhe në fazën e dytë ta fitojnë betejën për çështjen se kujt i përket Aleanca për Shqiptarët.
"Gjykata Themelore në Tetovë ka vepruar në bazë të vërejtjeve të Gjykatës së Apelit herën e parë kur është ankimuar lënda. Ne, nëpërmjet mbrojtësit tonë ligjorë, kemi vepruar ndaj vërejtjeve të Gjykatës së Apelit. Tani nuk ka asnjë arsye, pasi jo vetëm se është vepruar një qind për qind dhe sipas vërejtjeve të Gjykatës së Apelit, që ajo të marrë vendim në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Themelore në Tetovë. Ne presim që këtë çështje ta fitojmë edhe në fazën e dytë dhe të them të drejtën, sa më shpejt të përfundojë kjo çështje, aq më i qartë do të jetë veprimi politik, jo vetëm për Aleancën për Shqiptarët, por për skenën politike shqiptare në përgjithësi", tha ai.
Sipas Selës, ekziston tendencë për të bërë kaos në organizimin politik shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ndërsa ky kaos politik, ashtu siç tha, njihet saktësisht me emrat dhe mbiemrat e atyre që përpiqen ta nxisin. rq/bsh/
Foto: MIA