Saliu: Dita ndërkombëtare e gjuhës rome na kujton se gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, por edhe shenjë e identitetit, dinjitetit dhe forcës shpirtërore
- Dita ndërkombëtare e gjuhës rome nuk është vetëm një datë në kalendar, por një kujtesë se gjuha, si një urë e gjallë midis brezave lidh të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e një populli. Të mos harrojmë se çdo komb, çdo popull, çdo komunitet është pjesë e mozaikut që krijon bukurinë e vendit tonë dhe Evropës. Prandaj, kur ruajmë gjuhën rome, ruajmë një pjesë të historisë sonë të përbashkët njerëzore, tha sot ministri pa portofol, përgjegjës për integrimin dhe zbatimin e Strategjisë për përfshirjen e romëve 2022–2030, Shaban Saliu, në shënimin e Ditës ndërkombëtare të gjuhës rome - 5 Nëntori.
Shkup, 5 nëntor 2025 (MIA) - Dita ndërkombëtare e gjuhës rome nuk është vetëm një datë në kalendar, por një kujtesë se gjuha, si një urë e gjallë midis brezave lidh të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e një populli. Të mos harrojmë se çdo komb, çdo popull, çdo komunitet është pjesë e mozaikut që krijon bukurinë e vendit tonë dhe Evropës. Prandaj, kur ruajmë gjuhën rome, ruajmë një pjesë të historisë sonë të përbashkët njerëzore, tha sot ministri pa portofol, përgjegjës për integrimin dhe zbatimin e Strategjisë për përfshirjen e romëve 2022–2030, Shaban Saliu, në shënimin e Ditës ndërkombëtare të gjuhës rome - 5 Nëntori.
Gjuha, sipas tij, është simboli më i fuqishëm i përkatësisë dhe vetëvlerësimit, ndërsa Dita ndërkombëtare e gjuhës rome na kujton se gjuha nuk është vetëm një mjet komunikimi, por edhe një shenjë identiteti, dinjiteti dhe force shpirtërore.
"Gjuha rome, si pjesë e pasurisë së madhe kulturore të njerëzimit, ka mbijetuar për shekuj me radhë nëpër kohë ndryshimesh, migrimesh dhe sfidash. Ajo përcjell kujtesën kolektive të një populli që pavarësisht gjitha sprovave arriti të ruajë kulturën, muzikën, historinë dhe shpresën. Kjo ditë e shpallur nga UNESKO në vitin 2015, na kujton detyrimin që kemi për të ruajtur dhe zhvilluar trashëgiminë gjuhësore të romëve si pjesë e qytetërimit evropian dhe botëror", ka thënë Saliu.
Në shënimin e Ditës ndërkombëtare të gjuhës rome sot në Qeveri morën pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi dhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Gashi ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes dhe zhvillimit të gjuhës rome si pjesë e pasurisë sonë të përbashkët kulturore.
Në fjalën e tij ai theksoi angazhimin e Kuvendit dhe përkushtimin e tij personal, për të qenë një zë i përgjegjshëm në mbrojtjen e të drejtave, gjuhës dhe aspiratave të këtij komuniteti.
"Uroj gjithë komunitetin rom për Ditën Botërore të Gjuhës Rome, duke shpresuar që gjuha dhe kultura juaj të vazhdojnë të lulëzojnë dhe të pasurojë shoqërinë tonë. Uniteti në diversitet është prova më e bukur e qytetërimit tonë, dhe së bashku mund ta bëjmë këtë vizion realitet", ka thënë Gashi.

Gjuha rome, sipas ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, është pjesë e pasurisë sonë të përbashkët kulturore dhe nëpërmjet arsimit bëhet pjesë e trashëgimisë sonë të përbashkët që siç tha ajo "e kemi për detyrë dhe me kënaqësi do ta ruajmë dhe kultivojmë".
"Ministria e Arsimit dhe Shkencës po punon vazhdimisht për avancimin e arsimit të komunitetit rom dhe krijimin e kushteve për studim, promovim dhe mbrojtje të qëndrueshme të gjuhës rome", theksoi Janevska.
Dita ndërkombëtare e gjuhës romë- 5 Nëntori nga UNESKO është shpallur në vitin 2015.
Video: MIA