Rute: Tensionet rreth Grenlandës nuk duhet të shpërqendrojnë Evropën dhe SHBA-në nga Ukraina
- Aleatët e NATO-s nuk duhet të lejojnë që tensionet rreth Grenlandës t'i shpërqendrojnë nga nevoja për të mbrojtur Ukrainën, deklaroi sot sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute.
Davos, 21 janar 2026 (MIA) - Aleatët e NATO-s nuk duhet të lejojnë që tensionet rreth Grenlandës t'i shpërqendrojnë nga nevoja për të mbrojtur Ukrainën, deklaroi sot sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute.
"Fokusi në Ukrainë duhet të jetë prioriteti numër një, ajo është kyçe për sigurinë evropiane dhe amerikane", tha Rute në panel diskutimin në Forumin Ekonomik Botëror në qytetin zviceran Davos.
Ai theksoi se nuk duhet të humbet nga syri situata sa i përket konfliktit në Ukrainë.
"Jam vërtet i shqetësuar se po e humbim nga vëmendja dhe se ndërkohë ukrainasit nuk do të kenë mjaftueshëm interceptorë për t’u mbrojtur", theksoi Rute.
Ai deklaroi se nuk do t'i komentojë publikikisht tensionet midis SHBA-së dhe aleatëve të saj evropianë lidhur me kërkesën e Presidentit amerikan, Donald Tramp, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës marrin Grenlandën, e cila është një territor autonom danez.
"Mund të jeni të sigurt se po punoj për këtë çështje prapa skenave, por nuk mund ta bëj publikisht", tha Rute gjatë panel-diskutimit.
Ai tha se Trampi ka të drejtë kur thotë se Arktiku duhet të mbrohet nga ndikimi rus dhe kinez.
"Presidenti Tramp dhe liderët tjerë kanë të drejtë. Ne duhet të bëjmë më shumë atje. Ne duhet ta mbrojmë Arktikun nga ndikimi rus dhe kinez. Ne po punojmë për këtë, për të siguruar që do ta mbrojmë kolektivisht rajonin e Arktikut”, deklaroi Rute. ls/
Foto: EPA