Rute: Që të qëndrojmë të sigurt duhet të shpenzojmë më shumë në mbrojtje
- Për të qëndruar të sigurt dhe për të parandaluar luftën, duhet të shpenzojmë shumë më tepër në mbrojtje, veçanërisht në Evropë dhe Kanada, porosit sot Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rute në fjalimin hyrës në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut në Bruksel ku mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski.

Bruksel, 13 shkurt 2025 (MIA) - Për të qëndruar të sigurt dhe për të parandaluar luftën, duhet të shpenzojmë shumë më tepër në mbrojtje, veçanërisht në Evropë dhe Kanada, porosit sot Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rute në fjalimin hyrës në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut në Bruksel ku mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski.
"Të gjithë aleatët i kanë rritur investimet në mbrojtje vitet e fundit dhe aleatët evropianë tani mbajnë një pjesë shumë më të madhe të barrës se më parë. Në 10 vitet e fundit, aleatët evropianë dhe Kanadaja kanë ndarë mbi 700 miliardë dollarë shtesë për mbrojtjen", tha Rute.
Ai potencoi se vitin e kaluar vendet anëtare të NATO-s nga Evropa dhe Kanadaja investuan pothuajse 500 miliardë dollarë në mbrojtje, që është 20 për qind më shumë krahasuar me vitin 2023.
"Por, megjithatë, kjo nuk është e mjaftueshme. Duhet të bëjmë shumë, shumë më tepër. Se mund ta bëjmë këtë, është dëshmi nga ajo që bëmë në vitin 2023 dhe vitin 2024", theksoi Rute.
Sipas tij, përveç rritjes së alokimeve, prioritet duhet të jetë edhe rritja e prodhimit për nevojat e mbrojtjes dhe fuqizimi i industrisë së mbrojtjes në të gjithë Aleancën.
"I kemi industritë më të mira në botë, SHBA-ja, e gjithë Evropa, përfshirë Turqinë me bazën e saj krenare industriale turke, por ne duhet të prodhojmë më shumë, më shpejt dhe së bashku, për t'i tejkaluar konkurrentët tanë Rusinë, Kinën dhe të tjerët", shtoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Rute theksoi se ministrat duhet të bisedojnë edhe për mënyrat për t'iu përgjigjur fushatave të Rusisë për të destabilizuar vendet perëndimore, duke përfshirë aktivitetet e "flotës së saj në hije"
"E dini se "flota në hije" është një burim i madh të të ardhurave për Rusinë. Projekti "Baltik Sentri" është një shembull i mirë se si mund të pengojmë më mirë", potencoi Rute.
Ai paralajmëroi se ky takim ministror do të shënojë edhe fillimin e përgatitjeve për Samitin e ardhshëm të NATO-s, i cili do të mbahet në qershor në Hagë.
"Do të fokusohemi në disa prioritete kryesore për Samitin tonë në Hagë, i cili është vetëm katër muaj nga tani. Do të thotë, është së shpejti", shtoi Rute.
Pas përfundimit të Këshillit të Atlantikut të Veriut, pasdite do të mbahet një drekë pune në formën e një takimi joformal të Këshillit NATO-Ukrainë, ku do të marrin pjesë edhe ministri ukrainas i Mbrojtjes Rustem Umerov dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Mbrojtjes Kaja Kallas.
"Do të bisedojmë se çfarë mund të bëjmë më shumë për të mbështetur Ukrainën", shtoi Rute.
Mëngjesin e sotëm pas mbërritjes në takimin ministror, Rute porositi se NATO-ja duhet të kujdeset që Ukraina të jetë në pozicionin më të mirë të mundshëm për të përfunduar një marrëveshje paqeje që do të zgjasë dhe t'i bëjë të qartë presidentit rus Vladimir Putin se kurrë nuk do të jetë në gjendje të përpiqet të pushtojë pjesë të Ukrainës.
"Çështja numër një është të sigurohet që Ukraina të jetë në një pozicion të fortë kur të fillojnë bisedimet dhe se Putini etë dijë se duhet të ulet në tryezë dhe se është vendimtare për të që të arrijë një marrëveshje për Ukrainën", shtoi Rute.
Sipas tij, nuk duhet lejuar që të përsëritet rasti me Marrëveshjen e Minskut të vitit 2014, kur mendohej se ishte arritur një paqe e qëndrueshme, por Putini vazhdoi më pas përpjekjet e tij për të "rrëmbyer pjesë të Ukrainës".
"Asnjëherë, asnjëherë nuk mund ta lejojmë këtë. Pra, unë jam absolutisht për paqe. Unë jam pro negociatave paqësore, absolutisht. Por, në të njëjtën kohë, duhet të sigurojmë që ajo që del nga ato bisedime të jetë e qëndrueshme dhe që Ukraina të jetë e sigurt", tha Rute.
Foto: NATO