Rute para Komitetit Ushtarak të NATO-s: Duhet të jemi të gatshëm të përballemi me sfidat e qarta, reale dhe të përhershme
- - Situata e sigurisë dhe konteksti strategjik kërkojnë vigjilencë të vazhdueshme nga ana jonë në kushtet kur Rusia po vendos pajisje ushtarake kudo dhe po na teston në hapësirën ajrore dhe përmes sulmeve kibernetike dhe sabotimit, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rute në një vide paraqitje në takimin e Komitetit Ushtarak të Aleancës në nivel të shefave të shtatmadhorive të shteteve anëtare, i cili mbahet sot dhe nesër në Bruksel.
Bruksel, 21 janar 2026 (MIA) - Situata e sigurisë dhe konteksti strategjik kërkojnë vigjilencë të vazhdueshme nga ana jonë në kushtet kur Rusia po vendos pajisje ushtarake kudo dhe po na teston në hapësirën ajrore dhe përmes sulmeve kibernetike dhe sabotimit, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rute në një vide paraqitje në takimin e Komitetit Ushtarak të Aleancës në nivel të shefave të shtatmadhorive të shteteve anëtare, i cili mbahet sot dhe nesër në Bruksel.
“Por nuk është vetëm Rusia. Kina, Irani dhe Koreja e Veriut ndihmojnë në luftën e Moskës kundër Ukrainës. Këto vende po përgatiten për konfrontim afatgjat me neve. Në të njëjtën kohë, vazhdon edhe rreziku nga terrorizmi dhe paqëndrueshmëria në fqinjësinë jugore të NATO-s. Këto sfida me të cilat përballemi janë të qarta, reale dhe të përhershme dhe duhet të jemi të gatshëm”, theksoi Rute, i cili sot po qëndron në Davos në Forumin Ekonomik Botëror.
Për këto arsye, sipas Rutes, është e nevojshme rritje e investimeve dhe inovacioneve në prodhimtarinë e mbrojtjes nga të dyja palët e Atlantikut, me qëllim që anëtaret e NATO-s të mund të mbrohen, por kjo ushtarakisht është mirë edhe për forcat e armatosura, industrinë, bizneset dhe sigurinë kolektive të Aleancës.
"Po bëjmë përparim të qëndrueshëm, por qartësisht ka ende shumë për të bërë. Në prag të Samitit tonë të korrikut në Ankara, aleatët evropianë dhe Kanadaja duhet të demonstrojnë urgjentisht një rritje të qartë të investimeve në mbrojtje dhe të marrin përgjegjësi më të madhe për parandalimin dhe mbrojtjen konvencionale", tha Rute, duke shtuar se siguria është një përpjekje ekipore, prandaj NATO do të forcojë bashkëpunimin me partnerët e saj në të gjithë botën.
Në fjalimin hyrës në takim, kryesuesi i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Xhuzepe Kavo Dragone vlerësoi se pasqyra e sigurisë në fillim të vitit 2026 vazhdon të jetë jashtëzakonisht e vështirë, në kushte kur vazhdojnë lufta ruse kundër Ukrainës dhe paqëndrueshmëria dhe dhuna në fqinjësinë jugore të NATO-s. fc/