Rute: Aleatët e NATO-s duhet të përforcojnë sigurinë e Arktikut
- Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute sot deklaroi se marrëveshja kornizë për Grenlandën, e arritur me presidentin amerikan Donald Tramp, nënkupton se aleatët e NATO-s do të duhet të përforcojnë sigurinë në zonën e Arktikut.
Davos, 22 janar 2026 (MIA) - Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute sot deklaroi se marrëveshja kornizë për Grenlandën, e arritur me presidentin amerikan Donald Tramp, nënkupton se aleatët e NATO-s do të duhet të përforcojnë sigurinë në zonën e Arktikut.
Rute, në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në qytetin zviceran Davos, tha se rezultatet e para nga rritja e sigurisë në Arktik do të jenë të dukshme gjatë këtij viti.
“Ne do të mblidhemi në NATO me komandantët tanë të lartë për të përpunuar se çfarë është e nevojshme. Nuk dyshoj se mund ta bëjmë këtë mjaft shpejt. Sigurisht shpresoj që gjatë vitit 2026, madje edhe në fillim të vitit 2026,” tha Rute. Ai theksoi se tani komandantët e NATO-s duhet të përpunojnë detajet për kërkesat shtesë të sigurisë, si dhe se është i sigurt se anëtarët e NATO-s, që nuk janë afër Arktikut, gjithashtu do të duan të kontribuojnë.
Ruthe tha se gjatë bisedës me Trampin nuk u ngrit tema e shfrytëzimit të mineraleve kritike të Grenlandës. Sipas tij, përpjekjet për të forcuar sigurinë në Arktik nuk do të ndikojnë në burimet për mbështetjen e Ukrainës në luftën e saj me Rusinë. Ai theksoi se negociatat specifike për Grenlandën do të vazhdojnë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Danimarkës dhe Grenlandës, e cila është një territor autonom danez.
Rute tha se me Trampin ka biseduar edhe për mënyrën se si të sigurohet siguria e shtatë vendeve të Arktikut dhe si mund të sigurohet që NATO të mbrojë Arktikun.
Ne biseduam se si të sigurohemi që rusët dhe kinezët të mos kenë qasje në ekonominë e Grenlandës ose në aspektin ushtarak,” shtoi Rute. ls/
Foto: EPA