• петок, 02 јануари 2026

Rusia thotë se i ka dhënë SHBA-së prova për sulmin ukrainas ndaj rezidencës së Putinit

Rusia thotë se i ka dhënë SHBA-së prova për sulmin ukrainas ndaj rezidencës së Putinit

 Moskë, 2 janar 2026 (MIA) - Ministria ruse e Mbrojtjes dje bëri të ditur se kishte deshifruar të dhënat e navigimit nga një dron ukrainas që pretendon se tregojnë një sulm të planifikuar ndaj rezidencës së presidentit Vladimir Putin dhe se ua kishte dorëzuar materialin përfaqësuesve amerikanë.

Ministria bëri të ditur se të dhënat e deshifruara, të paraqitura në një dosje së bashku me një komponent të dronit, iu dhanë zyrtarëve nga zyra e atasheut ushtarak amerikan, që ndodhet në ambasadën në Moskë. 

 Ministria publikoi një video ku shihet si shefi i agjencisë së inteligjencës ushtarake ruse, GRU, Igor Kostjukov, duke dorëzuar provat.

Ukraina mohon se ka filluar sulm dhe akuzon Moskën se përdor pretendimin e rremë për të justifikuar sulmet ndaj ndërtesave qeveritare në Kiev. 

Në video, Kostjukov - i cili rrallë shfaqet në publik - tha se specialistët rusë të inteligjencës kishin deshifruar të dhënat, të cilat ai pretendoi se vërtetonin se droni kishte për qëllim të kryente një "sulm terrorist" në rezidencën e Putinit në rajonin Novgorod të Rusisë më 29 dhjetor të vitit 2025. 

 "Rusia shpreson që zbulimi do të ndihmojë në përcaktimin e së vërtetës", tha ai.

Rusia pretendon se Ukraina u përpoq të sulmonte rezidencën e Putinit në Valdai me 91 dronë, të cilët, sipas saj, u rrëzuan të gjithë. 

 Putini, gjithashtu, e informoi presidentin e SHBA-së Donald Trampin për incidentin e dyshuar me dron në fillim të kësaj jave, bëri të ditur Kremlini, duke shtuar se ndërsa Moska nuk kishte ndërmend të tërhiqet nga bisedimet e paqes të inkurajuara nga Trampi, do të marrë një qëndrim më të ashpër.

 Kievi dhe Moska kanë akuzuar njëra-tjetrën se e kanë përdorur incidentin për të prishur bisedimet e paqes.

Dorëzimi i materialit në Shtetet e Bashkuara, duket gjithashtu të jetë një përgjigje ndaj raportimeve të mediave amerikane këtë javë se CIA kishte arritur në përfundimin se dronët ukrainas nuk ishin të drejtuar drejt rezidencës së Putinit - një vlerësim që thuhet se iu nda Trampit, raportoi DPA. 

 Presidenti amerikan ka kritikuar komplotin e supozuar kundër Putinit, duke marrë lëvdata nga Kremlini, ndërsa komentatorët rusë kanë akuzuar udhëheqjen e CIA-s se është pro-ukrainase.

Ukraina lufton  për gati katër vjet, me mbështetjen Perëndimore, kundër një pushtimi  të plotë të urdhëruar nga Putini. 

Foto: EPA 

 

Остани поврзан