Rritet çmimi i naftës për të tretën ditë radhazi, ndërsa bursat tronditen nga armëpushimi i brishtë në Lindjen e Mesme
- Çmimet e naftës sot përsëri shënojnë ritje, për të tretën ditë radhazi, mes një armëpushimi të brishtë në luftën kundër Iranit.
Frankfurt, 23 prill 2026 (MIA) - Çmimet e naftës sot përsëri shënojnë ritje, për të tretën ditë radhazi, mes një armëpushimi të brishtë në luftën kundër Iranit.
Nafta "Brent" i Detit të Veriut për dorëzimin në qershor u rrit me më shumë se një për qind nga dje në 103.23 dollarë për fuçi (159 litra).
Presidenti amerikan Donald Trampi ka shtuar presionin mbi Iranin dhe, sipas raportimeve të medias, po i jep Teheranit edhe disa ditë kohë për të paraqitur një propozim të pranueshëm për t'i dhënë fund luftës.
Ndërkohë, autoritetet në Teherani konsiderojnë se janë në një pozicion më të favorshëm për shkak të mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, një rrugë e rëndësishme për transportin e naftës.
Mungesa e përparimit në bisedimet për t'i dhënë fund konfliktit ka tronditur bursat e mallrave. Nga fillimi i javës nafta e Detit të Veriut është rritur me gati shtatë dollarë për fuçi, ndërsa nafta e papërpunuar amerikane është rritur me gati katër dollarë.
Analisti Denis Kisler nga "BOK Financial Securities" pret që çmimet të vazhdojnë të rriten derisa njëra palë të dorëzohet, duke vlerësuar se negociatat janë në qorrsokak.
"Sa më gjatë të mos ketë rrjedhje nafte përmes Ngushticës së Hormuzit, aq më shumë do të rriten çmimet", shtoi Kisler.
Uashingtoni dhe Teherani mbeten në mosmarrëveshje për disa çështje kyçe për t'i dhënë fund luftës, përfshirë programin bërthamor të Iranit.
Foto: Arkivi i MIA-s