• сабота, 06 декември 2025

Risteski: Derisa nuk arrihet marrëveshje në kuadër të KES, rritja e pagës minimale do të llogaritet me formulën ekzistuese

Risteski: Derisa nuk arrihet marrëveshje në kuadër të KES, rritja e pagës minimale do të llogaritet me formulën ekzistuese

Shkup, 17 nëntor 2025 (MIA) – Derisa nuk arrihet marrëveshje për rritjen e pagës minimale në kuadër të Këshillit Ekonomik – Social (KES), do të vlejë formula ekzistuese për llogaritjen e saj. Qeveria do të mbështetë çfarëdo lloj marrëveshje, edhe për rritjen e pagës minimale edhe për ndryshim të formulës, por vetëm nëse ka leje trepalëshe në KES, nga të gjitha palët e prekura, tha sot zëvendës-ministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski. 

“E dimë që sindikatat gjithmonë përpiqen të rrisin pagën minimale, por një nga prioritetet kryesore të Qeverisë është përmirësimi i standardit të jetesës. Ne qëndrojmë në atë që gjithmonë e themi në mënyrë transparente, se duhet të ketë marrëveshje brenda Këshillit Ekonomik dhe Social ku ka edhe dialog trepalësh midis sindikatave, punëdhënësve dhe institucioneve qeveritare. Ajo për të cilën bien dakord punëdhënësit dhe sindikatat, Qeveria do ta respektojë. Për sa kohë që nuk ka marrëveshje të tillë, do të zbatohet formula ekzistuese për llogaritjen e pagës minimale, e cila u miratua me marrëveshje midis tre palëve në KES. Për sa kohë që nuk ka marrëveshje të tillë, ekziston formulë ekzistuese e miratuar me një marrëveshje trepalëshe dhe e nënshkruar nga të tre palët në KES, dhe me llogaritjet nga ajo formulë, do të ketë rritje. Formula do të thotë se sa do të jetë rritja në mars të vitit 2026”, deklaroi Risteski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas fillimit të Javës së Sipërmarrjes.

Sipas tij, që të ketë ndryshim të formulës së miratuar me marrëveshje trepalëshe, duhet përsëri të ketë interesim te të tre palët të cilët marrin pjesë në KES. 

“Nëse sindikatat dhe punëdhënësit kanë mundësi dhe nevojë të tillë, ne do të ishim të gatshëm të ndryshonim edhe formulën ekzistuese. Megjithatë, më lejoni të përmend se presim që të arrihet marrëveshje, sepse kërkesat e sindikatave dhe nevojat dhe interesat e punëdhënësve duhet të jenë gjithmonë të sinkronizuara në mënyrë që të përmirësohet vazhdimisht ekonomia. Asnjë marrëveshje nuk duhet të jetë e dëmshme as për punëtorët dhe as për ekonominë sepse kemi ekonomi të brishtë dhe e gjithë kjo ndikon më tej në standardin e jetesës, rritjen ekonomike dhe PBB-në”, theksoi zëvendësministri. fc/

Foto: MIA

 

 

Остани поврзан