Reagimi i BDI-së për listën e këshilltarëve të kryeministrit
- KUMTESË

Shkup, 30 janar 2025
Qeveria vazhdon me krijimin e “zonave pa shqiptarë” në institucionet shtetërore, duke i larguar në mënyrë sistematike shqiptarët nga pozicionet vendimmarrëse.
Këtë herë, kjo qasje reflektohet në përbërjen e ekipit këshillues të Kryeministrit, ku pothuajse nuk ka asnjë shqiptar.
Kjo politikë e majorizimit nuk është e re dhe përfaqëson një ristrukturim të njëanshëm të sistemit shtetëror, duke promovuar dominimin monoetnik.
Kjo qasje tregon qartë se mekanizmat e balansuesit etnik janë ende të domosdoshëm për të ruajtur karakterin multietnik të shtetit – një nga arritjet më të rëndësishme që tani është seriozisht e rrezikuar.
Ndërtimi i institucioneve funksionale dhe gjithëpërfshirëse është thelbësor për barazinë etnike, por edhe për vlerat evropiane mbi të cilat duhet të bazohet stabiliteti dhe progresi afatgjatë i vendit.
Me këtë veprim,Qeveria jo vetëm që ka degraduar partnerin shqiptar në qeveri, por ka krijuar ndjenjën e përjashtimit dhe të papranueshmërisë për çdo shqiptar në këtë shtet.
Bashkimi Demokratik për Integrim
___________________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.