Reagim i Veliaj nga burgu: Akuzë idiote nga prokurorët, më vjen keq për Ramën dhe PS-në, për bashkëpunëtorët dhe familjen, nuk kam lidhje me fjalën korrupsion
- – Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, reagoi pas arrestimit të tij dhe masave të sigurisë kundër bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, i cili në një shkrim në rrjetet sociale, e shprehu pakënaqësinë e tij nga procesi vijues, duke e quajtur jo korrekt dhe absurd.

Tiranë, 11 shkurt 2025 (MIA) – Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, reagoi pas arrestimit të tij dhe masave të sigurisë kundër bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, i cili në një shkrim në rrjetet sociale, e shprehu pakënaqësinë e tij nga procesi vijues, duke e quajtur jo korrekt dhe absurd.
“Nuk më befason ky fund absurd i këtij kapitulli të gjatë zvarritjeje sa në gojët e qenërisë mediatike dhe sa në duart e një prokurori lunatik, që është një fyerje e gjallë e inteligjencës njerëzore. Por, ky ishte vetëm kapitulli i parë. Tani unë nuk kam më detyrimin të hesht për çfarë më kanë parë sytë në sjelljen me familjen time dhe më kanë dëgjuar veshët nën çatinë e SPAK-ut. Kam respektuar, si gjithë të tjerët, vijën tonë politike, jo komente për një proces të hapur nga drejtësia”, shkruan ai.
Veliaj në reagimin e tij i përmend peripecitë dhe sakrificat që i ka përjetuar që të hesht gjatë hetimeve edhe krahas akuzave të rënda. Ai shprehu keqardhje për ndihmën e disa sipërmarrësve të cilët ishin cak, si dhe për gjendjen e bashkëshortes dhe fëmijës së tij, të cilëve nuk u ishte lejuar të kenë momente normaliteti. Thekson se kjo është “shkelje e inteligjencës njerëzore dhe shpifje kundër tij dhe familjes së tij” duke shtuar se “Unë dhe familja ime nuk kemi kurrfarë lidhje me fjalën korrupsion”.
“Më vjen keq për Ajolën, që as djalin nuk e lanë të çojë e marrë nga shkolla, por edhe kjo nuk më befason. Më vjen keq për nënën time, që zemër plasur në çdo betejë timen këto 20 vite, s’ju ndanë peripecitë prej një jete sakrificash. Më vjen keq për të gjithë bashkëpunëtorët, kolegët, punonjësit e Bashkisë së Tiranës dhe dua ta dinë që nuk kam unë asnjë lidhje me idiotësitë e shkruara në paçavuren fatkeqësisht të sigluar edhe nga Altin Dumani (njeriu i parë i SPAK). Më vjen keq për motrat dhe vëllezërit e Partisë Socialiste dhe për kryetarin, që pas kaq vitesh beteja të përbashkëta elektorale, nëse nuk do të më ketë në krah këtë fushatë, siç duket gjasat, përderisa më fusin në burg pa gjyq 3 muaj para zgjedhjeve”, akuzon Veliaj.
Ai ishte arrestuar nën akuzën për korrupsion pasiv dhe aktiv, pastrim parash dhe mos raportim të pasurisë, pas çka i ishte shqiptuar masa “paraburgim”. Bashkëshortja e tij mori “arrest shtëpiak”, derisa pesë biznesmenë paraqitje të rregullt në gjykatë. fc/
Fotografia: Veliaj në Fejsbuk