• сабота, 21 февруари 2026

Raundi i ri bisedimesh paqësore mes Ukrainës dhe Rusisë në Abu Dabi, pa përfaqësuesit e SHBA-së

Raundi i ri bisedimesh paqësore mes Ukrainës dhe Rusisë në Abu Dabi, pa përfaqësuesit e SHBA-së

Abu Dabi, 1 shkurt 2026 (MIA) - Ukraina dhe Rusia sot do të mbajnë biseda të drejtpërdrejta në Abu Dabi për të gjetur zgjidhje për përfundimin e luftës që zgjat pothuajse katër vjet, njofton agjencia gazetareske gjermane DPA.

Datën e bisedave e konfirmuan Kremlini dhe presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, por pa saktësuar detaje shtesë.

Bisedimet e drejtpërdrejta midis Moskës dhe Kievit rifilluan një javë më parë pas një ndërprerjeje të gjatë. Ato u zhvilluan me dyer të mbyllura dhe të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes kryenegociatorit të tyre, Stiv Vitkof. Këtë herë, palët ndërluftuese do të negociojnë pa përfaqësues amerikanë.

Edhe pse ekipet negociuese i kanë përshkruar disa herë bisedimet si konstruktive, marrëveshja për një marrëveshje paqësore ende nuk është në horizont, ndërsa çështjet territoriale mbesin pikë kyçe e mospajtimeve.

Rusia kërkon që Kievi të tërhiqet nga disa pjesë të rajonit ukrainas lindor Donbas, veçanërisht nga zonat rreth Donjeckut dhe Luganskut, të cilat ende janë nën kontrollin ukrainas. Zelenski disa herë e hodhi poshtë mundësinë për koncesion territorial.

Delegacionin ukrainas do të udhëheq kryenegociatori Rustem Umerov, ndërsa në krye të delegacionit rus do të jetë Igor Kostjukov, shef i shërbimit të inteligjencës ushtarake GRU.

Me kërkesë të presidentit të SHBA-së, Donald Tramp, Rusia pranoi të ndalojë përkohësisht sulmet ndaj infrastrukturës energjetike për shkak të të ftohtit ekstrem dhe dëmeve tashmë të mëdha në Kiev dhe qytete të tjera. Megjithatë, sulmet ndaj objektivave të tjerë vazhduan.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitrij Peskov, të premten tha se armëpushimi i kufizuar do të zgjasë vetëm deri të dielën, me qëlllim që të sigurohet "bazë e mirë", për negociatat paqësore.

Zelenski tha se nuk ekziston një marrëveshje zyrtare për armëpushim të përkohshëm, por premtoi se Ukraina nuk do të sulmojë objektiva energjetike ruse nëse Rusia e mban premtimin e saj.

Ukraina pothuajse katër vjet mbrohtet nga pushtimit rus me mbështetje të Perëndimit. sa/

foto: EPA arkivi

Остани поврзан