• среда, 28 јануари 2026

Raporti i KE-së: Shqipëria e dyta në Ballkan për nivelin e lartë të borxhit publik

Raporti i KE-së: Shqipëria e dyta në Ballkan për nivelin e lartë të borxhit publik

Tiranë, 27 janar 2026 (MIA) - Sipas të dhënave të fundit tremujore të Komisionit Evropian, edhe krahas uljes gjatë viteve të fundit, Shqipëria pozicionohet ndër vendet me nivelin më të lartë të borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në të dhënat e tremujorit të tretë të vitit 2025, borxhi publik i Shqipërisë arriti në 53,5 për qind të PBB-së, duke e renditur vendin si të dytin në Ballkanin Perëndimor, vetëm pas Malit të Zi, ku ky tregues është 58,6 për qind të PBB-së.

"Krahasimi me vendet e tjera të rajonit reflekton ndryshime të konsiderueshme në qasjen fiskale dhe zhvillimet makroekonomike të periudhës së mëparshme. Maqedonia e Veriut shënoi borxh publik në nivelin e 50,3 për qind të PBB-së, ndërsa Serbia, që ka ekonomi më të madhe, regjistroi borxh prej 43 për qind të PBB-së. Bosnja e Hercegovina dhe Kosova rezultuan me nivele më të ulëta, përkatësisht 26,4 për qind dhe 16 për qind të PBB-së", njoftoi "Monitor".

Raporti i KE-së nënvizon se borxhi publik mbetet një nga treguesit kryesorë të qëndrueshmërisë makroekonomike, duke pasqyruar performancën fiskale të shteteve dhe kapacitetin e tyre për të menaxhuar shpenzimet publike në periudha sfiduese.

Në Shqipëri, niveli i borxhit publik qëndron mbi mesataren e disa ekonomive të rajonit, edhe pse nën nivelin e vendeve me ngarkesë fiskale më të lartë, siç është Mali i Zi.

Në analizën e tij, Komisioni Evropian thekson se nivelet e borxhit publik janë ndikuar nga një kombinim faktorësh, përfshirë masat fiskale të marra gjatë periudhave të rimëkëmbjes ekonomike pas krizave dhe nevojën për mbështetje të shërbimeve publike.

Edhe pse konsumi dhe kërkesa e brendshme vazhduan të jenë kontribues kryesor në rritjen ekonomike, mbajtja e borxhit në nivele të qëndrueshme mbetet sfidë për vendet kandidate, duke kërkuar balancë të kujdesshme midis investimeve dhe disiplinës fiskale.

Për ekonomitë e vogla në rajon, kushtet e jashtme globale, kostot e shërbimit të borxhit dhe zgjerimi i shpenzimeve kapitale janë elementë që ndikojnë drejtpërdrejtë në nivelet e borxhit publik.

Raporti thekson se për vendet që synojnë integrim më të afërt me Bashkimin Evropian, menaxhimi i borxhit dhe përforcimi i strukturës fiskale janë thelbësore për sigurimin e stabilitetit makroekonomik afatgjatë. bsh/

Foto: Arkiv

Остани поврзан