QMK: Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje dheu dhe përmbytje në disa zona të vendit
- - Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, sot deri në orën 12:30 janë regjistruar rrëshqitje të gurëve, dheut dhe vërshime lokale në shumë zona të vendit, informojnë nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
Shkup, 10 janar 2026 (MIA) - Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, sot deri në orën 12:30 janë regjistruar rrëshqitje të gurëve, dheut dhe vërshime lokale në shumë zona të vendit, informojnë nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
Në Shtip si pasojë e reshjeve të mëparshme të shiut, janë shtuar rrëshqitjet e gurëve dhe dheut në rrugë, për çka bëhet thirrje për kujdes të shtuar në komunikacion.
Në rajonin e Shkupit, siç informojnë nga QMK, nuk ka shqetësime të veçanta lidhur me reshjet e dendura të shiut.
Në Ohër deri në orën 12:30 nuk ka raporte për përmbytje të objekteve në këtë rajon. Aktualisht, reshjet kanë ndalur. Përfaqësuesit e Shtabit të Krizave të Ohrit ishin në terren për të kontrolluar pikat kritike të lumit Daljan pranë fshatit Orman dhe Debelopole. Ka përmbytje të lumit Sushica në zonën e rrugës Prilepska; një ekip nga NP „Niskogradba“ me mekanizim është dërguar për të ndaluar përmbytjen. Nëse reshjet vazhdojnë, ka rrezik për përmbytje të lumit Daljan pranë Koselit dhe fshatit Vapila.
Në Strugë ka raporte për oborre të përmbytura në Rajonin e 4-të pranë Mislhevski Pat. Uji i mbledhur nga fusha e Strugës ka përmbytur oborret ku ka kanale për daljen e ujërave. Janë informuar shërbimet kompetente të Komunës së Strugës, NJTZ-Strugë, QRMK-Strugë dhe DMSH-Strugë. Një ekip i NJTZ-Strugës është në terren dhe përdor pompa për të tharë oborret e përmbytura. Në rrugën Dibër–Strugë ka rrëshqitje dheu; shërbimet e ndërmarrjes "Rrugët e Maqedonisë" – Dibër janë në terren dhe po mirëmbajnë rrugën.
Në rajonin e Velesit, siç thonë nga QMK, nuk ka shqetësime të veçanta lidhur me reshjet e shiut dhe borës.
Në rajonin e Manastirit, më saktësisht në zonën e qytetit, situata është normalizuar dhe është pa probleme. Në fshatin Kravari janë përmbytur rreth 10–20 hektarë toka bujqësore. Nuk ka rrezik për shtëpitë dhe objektet industriale. Në fshatrat Zhaveni dhe Porodin janë përmbytur rreth 70–80 hektarë toka bujqësore. Lumi Eleshka ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur rreth 50 hektarë tokë bujqësore. Uji po tërhiqet në shtratin e lumit. Rruga për Manastirin Bukovski është dëmtuar rëndë; NP „Niskogradba“ po ndërhyn me një buldozer dhe makineri ndërtimi. Ndërhyrje nga NP „Niskogradba“ ka pasur edhe në rrugën nga fshati Bukovë drejt fshatit Oreovo i Epërm për shkak të rrëshqitjes së dheut. Për shkak të dëmtimit të urës mbi lumin Boiska në rrugën lokale për fshatin Mrenoga, ura është mbyllur për qarkullim. Për shkak të reshjeve intensive ditët e fundit, uji i pijshëm është turbulluar dhe rekomandohet të valohet për të paktën 10 minuta.
Niveli i lumit Crna pranë fshatit Buçin është rritur, por është stabil dhe nuk ka rrezik për dalje nga shtrati. NP „Komuna“ ka forcuar dhe ngritur mbrojtjet në pikat kritike për të parandaluar përmbytjet.
Nga QMK informojnë se javën e ardhshme, NJVL Krushevë do të formojë një komision për raportimin e dëmeve si pasojë e reshjeve të dendura.
NJVL Dollnen deri tani ka marrë raporte për dëme nga një banor i fshatit Lazhanë, ku oborri dhe pjesa e poshtme e shtëpisë janë përmbytur, si dhe dëmtime në fushën e duhanit. Përveç Lazhanit, ka pasur përmbytje edhe në fshatin Peshtalevë, kryesisht për shkak të kanaleve të pastruara jo-mjaftueshëm. Kan ndërhyrë me makineri ndërtimi për pastrimin e kanaleve.
Në rajonin e Resnjës, janë përmbytur toka bujqësore, oborre, shtëpi, objekte ndihmëse dhe magazina për ruajtjen e mollëve. Niveli i lumit Golema nga 1,40 është rritur në 1,65 metra. NP dhe NJVL Prespë kanë angazhuar të gjitha makineritë ndërtimore dhe pompat për të tharë oborret dhe bodrumet e përmbytura
Në territorin e Strumicës deri tani nuk ka raporte për dëme nga reshjet. Aktualisht reshjet janë më të lehta dhe nuk ka rrezik për daljen e lumit nga shtrati. Asnjë raport për rrëshqitje dheu apo rrugë të bllokuara.
Në komunat Kumanovë, Likovë, Rankovcë dhe Nagoriçan i Vjetër nuk ka shqetësime të veçanta nga reshjet dhe lumenjtë nuk kanë dalë nga shtrati. Në rajonet e Kriva Pallankës, Rankovcës dhe Kratovës nuk ka shqetësime, të gjitha rrugët janë të kalueshme, me sipërfaqe të lagur.
Deri në orën 12:00 në rajonin veriperëndimor që përfshin Tetovën dhe Gostivarin nuk ka raporte për dëme, informojnë nga QMK. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s