Qiproja merr presidencën me BE-në me premtimin për autonomi më të madhe evropiane
- Zgjerimi me Ukrainën, Moldavinë, partnerët tanë nga Ballkani Perëndimor dhe Turqinë, bazuar në kushtëzimet e vendosura strikte dhe të drejta, përfaqëson përfundimin e vizionit për bashkimin e Evropës dhe do të zgjerojë zonën e paqes, demokracisë, sigurisë dhe stabilitetit, sipas prioriteteve të presidencës qipriote me Këshillin e BE-së, e cila do të zgjasë nga 1 janari deri më 30 qershor 2026.
Bruksel, 1 janar 2026 (MIA) - Zgjerimi me Ukrainën, Moldavinë, partnerët tanë nga Ballkani Perëndimor dhe Turqinë, bazuar në kushtëzimet e vendosura strikte dhe të drejta, përfaqëson përfundimin e vizionit për bashkimin e Evropës dhe do të zgjerojë zonën e paqes, demokracisë, sigurisë dhe stabilitetit, sipas prioriteteve të presidencës qipriote me Këshillin e BE-së, e cila do të zgjasë nga 1 janari deri më 30 qershor 2026.
"Zgjerimi u tregua si një nga mjetet më transformuese të BE-së, përfshirë brenda vendeve kandidate, duke reflektuar gatishmërinë e tyre për të reformuar dhe për të zgjidhur problemet e vjetra me fqinjët e tyre në bazë të ligjit, vlerave dhe parimeve evropiane. Zgjerimi është në thelb një investim strategjik në të ardhmen e Evropës", shtohet në dokument.
Në prioritetet e presidencës qipriote citohet edhe se ajo është e përkushtuar fuqishëm në avancimin e agjendës së zgjerimit në mënyrë kredibile, përmes ofrimit të rezultateve prekshme dhe në bazë të procesit të bazuar në merita.
Presidenca qipriote, motoja e së cilës është "Një Bashkim Autonom. I Hapur ndaj Botës", thekson se Bashkimi Evropian duhet të jetë autonom, sepse një Bashkim më autonom do të demonstrojë forcën e brendshme të nevojshme për të bashkëpunuar me partnerët e jashtëm sa herë që është e mundur, ndërsa në të njëjtën kohë do të veprojë në mënyrë të pavarur kur është e nevojshme.
Në dokument, prioritetet mbi të cilat Qiproja do të punojë me një "qasje ambicioze të orientuar drejt rezultateve" janë grupuar në pesë fusha: Autonomia përmes sigurisë, gatishmërisë dhe përgatitjes për mbrojtje; Autonomia përmes konkurrencës; Hapja ndaj botës, autonomia; Një Bashkim Autonom vlerash që nuk lë askënd pas; dhe Një buxhet afatgjatë për një Bashkim autonom.
Autonomia përmes sigurisë, gatishmërisë dhe përgatitjes për mbrojtje
Sipas Presidencës së Qipros, një Evropë më autonome është gjithashtu një Evropë më e sigurt, prandaj, për të mbrojtur qytetarët e saj dhe interesat e saj, BE-ja duhet të forcojë aftësinë e saj për të vepruar në mënyrë të pavarur kur është e nevojshme, pa frikën e zvogëlimit të varësisë dhe me besimin dhe aftësinë për të siguruar që mund të mbrojë veten.

Presidenca qipriote thekson se do të mbështesë nismat dhe projektet kryesore të mbrojtjes së BE-së me interes të përbashkët dhe do t'i japë përparësi zbatimit të Librit të bardhë mbi të ardhmen e mbrojtjes evropiane dhe Udhërrëfyesit shoqërues për përgatitjen 2030.
Dokumenti thekson gjithashtu nevojën për një angazhim të qartë ndaj së drejtës ndërkombëtare, duke theksuar se "standardet e dyfishta nuk janë busulla e BE-së", si dhe forcimin e marrëdhënieve transatlantike si një gur themeli i sigurisë evropiane dhe promovimin e bashkëpunimit të mëtejshëm midis BE-së dhe NATO-s.
Në këtë kontekst, prioritetet përfshijnë zbatimin e strategjive të BE-së për sigurinë detare, qëndrueshmërinë e ujërave dhe përgatitjen, forcimin e sigurisë ekonomike, menaxhimin efikas të migracionit përmes zbatimit të plotë të Paktit për migracionin dhe azilin, mbrojtjen e demokracisë nga dezinformimi, ndërhyrjet e huaja, presionet mbi lirinë e medias, gjuhën e urrejtjes dhe manipulimin zgjedhor, si dhe luftën kundër të gjitha formave të diskriminimit, intolerancës, racizmit, ksenofobisë dhe urrejtjes dhe kundër krimit të organizuar dhe transnacional, terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Autonomia përmes konkurrencës
Presidenca qipriote beson se vetëm një Bashkim më konkurrues mund të çojë në një Bashkim më autonom, prandaj konkurrueshmëria e Evropës është baza për qëndrueshmëri dhe veprim autonom, theksohet në dokument.
Sipas Nikozisë, forcimi i konkurrueshmërisë së Evropës kërkon një kuadër rregullator të qartë dhe të parashikueshëm që do t'u lejojë bizneseve të përqendrohen në investime, inovacion dhe konkurrencë globale dhe do të kontribuojë në ndërtimin e një ekosistemi industrial evropian më të shkathët dhe të pavarur.

Hapja ndaj botës, autonomia
Autonomia, sipas presidencës së Qipros, nuk do të thotë kthim drejt vetes, por angazhim në botë nga një pozicion uniteti dhe strategjie dhe duke forcuar aftësinë strategjike të Evropës për të formësuar zhvillimet ndërkombëtare, duke mbetur njëkohësisht e përkushtuar fort ndaj bashkëpunimit.
Përveç angazhimit të përmendur tashmë për zgjerim, një përparësi qendrore e presidencës do të jetë Ukraina, përmes promovimit të mbështetjes diplomatike, politike, ekonomike, ushtarake, energjetike dhe humanitare për vendin.
"Mbështetja e BE-së për përpjekjet e Ukrainës për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, me respekt të plotë për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, mbetet e palëkundur", shtohet në dokument.

Nikozia do të mbështesë gjithashtu përpjekjet për të thelluar bashkëpunimin me SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerë të tjerë në adresimin e përbashkët të sfidave ndaj paqes dhe stabilitetit në të gjithë botën, ndërsa gjithashtu do të jetë e përkushtuar për forcimin e tregut të brendshëm të Bashkimit dhe diversifikimin e partneriteteve të jashtme për të zvogëluar varësitë strategjike.
Një Bashkim autonom vlerash që nuk lë askënd pas
"Forca e Bashkimit tonë autonom qëndron te populli i tij dhe në përfshirjen aktive të çdo evropiani. Bashkimi autonom nuk lë asnjë qytetar pas dore. Ai ekziston për të mbrojtur vlerat tona të përbashkëta, për të forcuar pjesëmarrjen dhe për të krijuar një mjedis të favorshëm në të cilin të gjithë mund të lulëzojnë", thekson presidenca e Qipros.
Ajo që e lidh BE-në, sipas Qipros, janë vlerat themelore të ngulitura në parimet e sundimit të ligjit, të drejtave themelore dhe demokracisë, si parakushte për prosperitet dhe pjesëmarrje të plotë të të gjithë evropianëve në shoqërinë e përbashkët.

Buxheti afatgjatë për një Bashkim Autonom
Sipas presidencës së Qipros, autonomia strategjike kërkon gjithashtu fonde të mjaftueshme për qëllimet e përbashkëta të BE-së, prandaj ajo do t'i përkushtohet plotësisht negociatave mbi Kornizën financiare shumëvjeçare të bllokut për periudhën 2028-2034, si udhërrëfyesi strategjik dhe instrumenti kyç që përkthen qëllimet afatgjata të Bashkimit në veprime konkrete.
Nikozia ka ambicien të përgatisë një bazë negociuese të zhvilluar mirë me shifra treguese dhe të hapë rrugën për një përfundim në kohë të negociatave mbi kornizën buxhetore. Institucionet e BE-së synojnë të përfundojnë negociatat mbi buxhetin e ardhshëm deri në fund të vitit 2026.
Gjithashtu njoftoi se, si presidencë e BE-së, do të veprojë si një ndërmjetës i përgjegjshëm dhe i ndershëm, për të siguruar që "sfidat të transformohen në mundësi dhe që ambicia të përputhet me veprime dhe rezultate të prekshme". sa/
Foto: MIA arkivi