• петок, 21 февруари 2025

Qeveria i miratoi 250 milionë eurot për sektorin e biznesit, tani është rradha e bankave dhe kompanive

Qeveria i miratoi 250 milionë eurot për sektorin e biznesit, tani është rradha e bankave dhe kompanive

Shkup, 28 janar 2025 (MIA) - Qeveria sot i miratoi marrëveshjet për shfrytëzimin e mjeteve nga linja kreditore hungareze e dedikuar për kompanitë, me çka praktiskisht tani Banka zhvillimore mund t'i nënshkruajë marrëveshjet me bankat dhe mjetet të bëhen operative.

Paratë do të merren nga bankat komerciale me një afat shlyerjeje deri në 15 vjet nga nënshkrimi i kontratës dhe një grejs periudhë prej tre vjetësh. Norma e interesit është 1,95 për qind, pa kompensime shtesë. Shuma maksimale për të cilën mund të aplikohet është deri në 10 milionë euro, ndërsa në të gjithë projektin janë të përfshira të gjitha 13 bankat.

Sipas Qeverisë, kjo është shuma më e madhe që i është dhënë në dispozicion sektorit të biznesit nën kushte super të favorshme, ndërsa përfitimin përfundimtar do ta kenë kompanitë dhe qytetarët me rritjen e konkurrencës së kompanive dhe hapjen e vendeve të reja të punës. 

Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska sot në konferencë për shtyp tha se procedura do të jetë transparente dhe kriteret do të jenë të barabarta për të gjithë. 

"Shpenzimet për miratim janë zero denarë. Procedura duhet të jetë maksimalisht transparente dhe kushtet do të jenë të barabarta për të gjitha kompanitë. Me vendimet e sotme të Qeverisë po hyjmë në fazën përfundimtare të funksionalizimit të mjeteve nga huaja hungareze e dedikuar për kompanitë. Me nënshkrimin e marrëveshjeve hapet rruga që Banka zhvillimore t'i marrë mjetet nga Buxheti, ndërsa më pas të transferohen në bankat komerciale dhe prej aty te kompanitë", tha ministrja e Financave. 

Rreziku për miratimin e mjeteve, siç theksoi, qëndron te bankat që vendosin se kë dhe çfarë projektesh do të kreditojnë.

Prioritet, siç tha Dimitrieska-Koçoska, do të kenë kompanitë prodhuese, por mundësi për të aplikuar do të kenë të gjitha kompanitë.

"Sigurisht që theks kanë kompanitë prodhuese, por nëse i shikoni analizat e Bankës Popullore, do të shihni se në përgjithësi, plasmanet që bankat bëjnë çdo vit nuk janë shumë më të mëdha se kjo shumë dhe kjo është arsyeja pse ne në fund vendosëm të hapemi drejt të gjitha kompanive në drejtim që të gjithë të kenë qasje. Sigurisht që prioritet do të kenë kapacitetet prodhuese dhe sipas informacioneve që kam me disa nga bankat më të mëdha vend, ata tashmë kanë plasmanet ekzistuese dhe të miratuara për të cilat vetëm presin nënshkrimin e dokumentacionit përkatës", tha Dimitrieska-Koçoska. 

Kryeministri Hristijan Mickoski premton se nuk do të ketë tregti me ndikim, gjë që është ngritur si dyshim pasi u zgjerua shtrirja e kompanive që mund të aplikojnë për marrje të mjeteve. Synimi për zgjerimin e shtrirjes, siç theksoi, ka qenë të shfrytëzohen mjetet, ndërsa vendimi është marrë në bazë të analizave dhe shifrave që tregojnë se ekonomia në vit mund të tërheqe 250 milionë euro.

"Supozoj se po flisni për të kaluarën kur në seancat e qeverisë kanë marrë koncesione për të afërmit e tyre, kryeministrat nënshkruan koncesione për marrjen e lejeve energjetike për objektet që prodhonin energji elektrike nga burime të rinovueshme... supozoj se e keni fjalën për atë fushatë të LSDM-ja tani opozitare për hidro Micko që përfundoi me një vendim gjykate në të cilin LSDM-ja akuzohej për shpifje dhe publikim të informatave të rreme, për çka duhet të kërkojë falje. Besoni në këtë qeveri, derisa unë e udhëheq, nuk do të ketë tregti me ndikim dhe të jeni të qetë", tha Mickoski.

Mjetet nga linja kreditore hungareze janë pjesë e kredisë që Qeveria merr nga Hungaria, për të cilën marrëveshja është nënshkruar më 8 tetor në Budapest. ls/

Foto: Qeveri

 

Остани поврзан