• вторник, 21 април 2026

Qeveria e Kosovës e shpalli organizatë terroriste Gardën Revolucionare Islamike të Iranit

Qeveria e Kosovës e shpalli organizatë terroriste Gardën Revolucionare Islamike të Iranit

Prishtinë, 20 prill 2026 (MIA) - Qeveria e Kosovës e ka shpallur sot si organizatë terroriste Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).

Kryeministri Albin Kurti tha se "përmes këtij vendimi, Kosova e forcon qëndrimin e saj në mbrojtjen e sigurisë ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut. Ky është rreshtim i qartë i Kosovës përkrah aleatëve të vet strategjikë në luftën e përbashkët kundër terrorizmit", theksoi Kurti.

Ai e përshkroi IRGC-në si "strukturë që e përdor terrorizmin dhe dhunën e organizuar si instrument të politikës së jashtme, duke kontribuuar në destabilizimin rajonal dhe global".

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit është krahu ideologjik i ushtrisë së Teheranit dhe u krijua pas revolucionit të vitit 1979 për ta mbrojtur udhëheqjen klerikale.

Garda kontrollon ose zotëron kompani në gjithë ekonominë iraniane, përfshirë sektorë strategjikë kryesorë.

Disa vende tashmë e kanë shpallur organizatë terroriste IRGC-në, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Bashkimi Evropian sërish e ka shpall atë si terroriste pasi Teherani i shtypi në mënyrë brutale protestat antiqeveritare në fillim të këtij viti.

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë thënë se mbi 6.000 njerëz janë vrarë gjatë protestave në Iran. Sipas tyre, protestuesit u vranë nga forcat e sigurisë, përfshirë Gardën Revolucionare, të cilat qëlluan drejtpërdrejt mbi protestues.

Irani, me një popullsi prej mbi 91 milionë banorësh, nuk e njeh Kosovën si shtet dhe nuk ka marrëdhënie diplomatike zyrtare me vendin. mb/

 

 

Остани поврзан