Qeveria dhe OBSH nënshkruan Strategjinë pesëvjeçare të bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë 2026–2030
- Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me kryetarin e Qeverisë, Hristijan Mickoski dhe Akim Ali, shefin e Zyrës së OBSH-së në vendin tonë, sot nënshkruan Strategjinë pesëvjeçare të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë dhe OBSH-së për periudhën 2026–2030.
Shkup, 1 dhjetor 2025 (MIA) - Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me kryetarin e Qeverisë, Hristijan Mickoski dhe Akim Ali, shefin e Zyrës së OBSH-së në vendin tonë, sot nënshkruan Strategjinë pesëvjeçare të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë dhe OBSH-së për periudhën 2026–2030.
Siç njoftoi Ministria e Shëndetësisë, me lidhje online në ngjarje foli edhe drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropë, Hans Kluge.

“Sot hapim një kapitull të ri në bashkëpunimin me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Nënshkruam strategjinë tonë të parë pesëvjeçare të bashkëpunimit — një dokument i hartuar bashkërisht me të gjitha institucionet dhe partnerët, i cili do t’i udhëheqë reformat në shëndetësi deri në vitin 2030. Strategjia fokusohet në modernizimin e kujdesit shëndetësor primar, transformimin e plotë digjital, përmirësimin e kujdesit për nënën dhe fëmijën, shëndetin mjedisor dhe qëndrueshmërinë klimatike, në përputhje me agjendën ‘e gjelbër’ të Qeverisë. Me strategjinë janë gjithashtu janë përfshirë mbrojtja e grupeve të cenueshme, planifikimi i burimeve njerëzore në shëndetësi, shëndeti publik, siguria shëndetësore dhe rritja e gatishmërisë ndaj situatave krizë. Strategjia na mundëson një plan të qartë, partneritet dhe mbështetje për realizimin e përbashkët të reformave kryesore”, theksoi ministri Aliu pas nënshkrimit.
Ai veçoi bashkëpunimin e shkëlqyer ndërsektorial dhe përkrahjen nga sektorët e tjerë, duke theksuar se kjo Strategji e bashkon të gjithë sistemin qeveritar rreth objektivave për shëndetin dhe mirëqenien e popullatës.

“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time ndaj OBSH-së, ministrive dhe partnerëve për kontributin e tyre. Me këtë Strategji vendosim themelet për një shëndetësi më të fortë, më moderne dhe më të drejtë për të gjithë qytetarët. Kjo është dëshmi simbolike e vullnetit të fuqishëm politik, përkushtimit kombëtar dhe partneritetit të ngushtë ndërmjet Qeverisë dhe OBSH-së për realizimin e reformave kyçe në shëndetësi”, përmbylli ministri Aliu. bsh/
Foto: MSH