• сабота, 06 декември 2025

Përkujtimi i Ditës së Alfabetit në Manastir: Nderim i Gjuhës dhe Identitetit Shqiptar

Përkujtimi i Ditës së Alfabetit në Manastir: Nderim i Gjuhës dhe Identitetit Shqiptar

Shkup, 23 nëntor 2025 (MIA) - Zëvendëskryeministri Fetai theksoi se Manastiri është një nga pikëmbështetjet më të rëndësishme të historisë sonë, aty ku në vitin 1908 u vendos unifikimi i alfabetit të gjuhës shqipe, një akt që i dha gjuhës strukturë moderne dhe shënoi drejtimin civilizues të shoqërisë shqiptare, qëndron në kumtesën e kabinetit të zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut përgjegjës për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai të cilën MIA e transmeton në formë integrale. 

Me rastin e shënimit të 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, nën organizimin e Zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, u mbajt në Manastir manifestimi qendror shtetëror, në Muzeun e Alfabetit.

Manifestimi u nderua me praninë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, si mysafir i veçantë i kësaj dite përkujtimore.

Në fjalën e tij, Zëvendëskryeministri Fetai theksoi se Manastiri është një nga pikëmbështetjet më të rëndësishme të historisë sonë, aty ku në vitin 1908 u vendos unifikimi i alfabetit të gjuhës shqipe, një akt që i dha gjuhës strukturë moderne dhe shënoi drejtimin civilizues të shoqërisë shqiptare. Ai nënvizoi se ky nuk ishte një vendim teknik, por një akt themelor identitar e kulturor që i bashkoi shqiptarët rreth vizionit të përbashkët të arsimit, dijes dhe lirisë së mendimit.

 

Zëvendëskryeministrë Fetai vuri në dukje se gjuha shqipe ka qenë dhe mbetet busulla orientuese e shqiptarëve në çdo periudhë historike, dhe se detyrë e institucioneve është ta mbrojnë, ta zhvillojnë dhe ta përcjellin këtë pasuri te brezat e ardhshëm.

Programi artistik përfshiu pjesë të repertorit muzikor dhe valle tradicionale shqiptare, duke sjellë dimensionin kulturor të kësaj dite të rëndësishme.

Zëvendëskryeministri Fetai ritheksoi përkushtimin për avancimin e politikave që sigurojnë promovimin, standardizimin dhe funksionalitetin e gjuhës shqipe në të gjitha fushat e jetës publike, në frymën e vlerave të Kongresit të Manastirit. ls/

Kabineti i zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut përgjegjës për Qeverisje të Mirë

Остани поврзан